Shalke-Bajern është finalja e madhe...
Java e 29-të e Bundesligës vë përballë dy kryesuesit e kampionatit gjerman: e para kundër të dytës, Shalke 04 pret Bajernin e Mynihut në një nga ndeshjet me shumë të pritura të sezonit. Kundër Shtutgartit, javën e kaluar, klubi bavarez humbi për të dytën herë radhazi, ndërsa Shalke u ngjit në krye falë dopjetës së Kuranjit kundër Leverkusenit. Tashmë Shalke tenton shkëputjen, ndërsa skuadra e Van Gal nuk mund të lejojë hapat falsë, por nuk heq dorë as nga Europa. “Kemi një ndeshje të rëndësishme në shtëpi dhe mund të shkëputemi në klasifikim, nënvizoi mbrojtësi i Shalkes, Heiko Vesterman. Besoj se kjo do të jetë për ne një javë e madhe”. Dhe vjen Kevin Kuranji: “Jemi tashmë një hap para në ‘BayArena’, duke fituar tri pikë të rëndësishme. Por objektivi ynë është të fitojmë një vend në Champions League, dhe nga kjo pikëpamje gjërat po ecin mirë”. Por a do të mund t’ia dalë Shalke për të fituar titullin e Gjermanisë, një gjë që i mungon klubit prej 52 vjetësh? Mund t’ia dalë, nëse Kuranji do të vazhdojë të shënojë me të njëjtën vazhdimësi të deritanishme. Sulmuesi, që në Leverkusen ka shënuar golin e 17-të sezonal, është në krye të golashënuesve më të mirë, dhe ka 5 gola më shumë se sa Gomez e Klose së bashku... Natyrisht, sfida me Bajernin mund të jetë një ndeshje vendimtare për titull, sepse do t’i çonte njerëzit e Magath në kuotën e + 5 pikëve ndaj bavarezëve, por Kuranji preferon të qëndrojë me këmbë në tokë, i vetëdijshëm se rruga është akoma e gjatë dhe e pasur me pengesa: “është e sigurt që ndeshja kundër Bajernit është shumë e rëndësishme, por mbeten ende edhe pesë ndeshje, dhe nëse duam ta përfundojmë sezonin në kryesim, do të duhet të jemi të përqendruar deri në fund”, nënvizon futbollisti.
#