E Diel, 1 Nëntor 2026

Shalsi “Berisha kërkon të largojë vëmendjen nga kutitë”

Autori i Lajmit: Redaksia
Deputeti i PS-së, Eduard Shalsi ka denoncuar edhe një herë sot sjelljet uzurpuese të qeverisë Berisha ndaj bashkive dhe komunave të vendit. Sipas Shalsit Berisha largon vemendjen nga problemet madhore, si tuneli i Thirres, apo hapja e kutive, me veprime arbitrare të shembjes së ndërtimeve ne kryeqytet.
Shalsi ndër të tjera tha se "kemi kundërshtuar ligjërisht pranë Gjykatës Kushtetuese ligje apo amendamente ligjore të propozuara nga qeveria që nuk bënin gjë tjetër veçse përpiqeshin të zhvatnin nga pushteti vendor atribute të sanksionuara në parimet e decentralizimit".
Sipas tij, Berisha nga njëra anë u kërkon ministrave të tij kukulla të bashkëpunojnë për të rritur të ardhurat e bashkive të cilat vetë i ka reduktuar, nga ana tjetër sulmon sipërmarrjen e lirë brenda territorit juridiksion bashkiak dhe në kundërshtim flagrant me ligjin.
"Shqiptaret duan të mësojnë të vërtetën se çfarë po ndodh në tunelin e Thirrës, siç duan të dinë edhe të vërtetën e kutive të votimit. Dhe ashtu siç nuk mund të mbulohet dielli me shosh ashtu dhe Sali Berisha nuk mund të largoj vëmendjen e shqiptarëve nga hapja e kutive të votimit, e aq më pak mund ta bëjë këtë me matrapikun e prishjeve që i ka vënë në duar ministrit të tij të paaftë", përfundoi Shalsi.

Ky lajm është publikuar: 14/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›