E Diel, 1 Nëntor 2026

FTESA SURPRIZE, Berisha fton Ramën në Kongresin e PD-së

Autori i Lajmit: Redaksia
“Edi Rama vetëm 18 minuta në PD, e ftoj nesër në Kuvend”- tha mbrëmë Kryeministri Berisha. Duke folur për një debat të hapur në media lidhur me raportet e Edi Ramës me Partinë Demokratike në fillesat e saj, Berisha tha se kryetari aktual i PS-së ka qëndruar vetëm 18 minuta në Partinë Demokratike. Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha i cili drejton edhe qeverinë e vendit, ftoi publikisht kryetarin e PS, Edi Rama të marrë pjesë në Kuvendin e partisë që kryeson.“Zoti Rama, është i ftuar si kryetar i Partisë Socialiste që të vijë në Kuvend”, - konfirmoi Berisha duke shtuar se po ashtu, “ne kemi ftuar të gjithë spektrin politik të vendit”. “Erdhi u ul, dhe pas një debati me një nga eksponentët kryesorë të partisë, i kërkoi të dilte jashtë. Është i ftuar në Kuvendin tonë nesër”, tha Berisha.

Ne, fitimtarë

Në fazën e parë të këtij Kuvendi,- tha Berisha, - në prill ne ju shpalosëm shqiptarëve projektin e Shqipërisë evropiane. “Ky kuvend mblidhet pas një zhvillimi madhor e historik, zhvillimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme më 28 qershor. Kjo është një meritë historike e të gjithë piramidës zgjedhore të PD. Përgjegjësia për zhvillimin e zgjedhjeve të lira është e qeverisë dhe partisë në pushtet. Këtë përgjegjësi e përmbushëm me nder”, tha kreu i qeverisë Berisha.
Ai theksoi se Kuvendi Kombëtar i PD mblidhet në fazën e dytë të tij për të zgjedhur organet dhe forumet e reja drejtuese të PD, kryetarin, këshillin kombëtar, komisionin disiplinor.
“Pra mblidhet për të ripërtërirë mandatin e organeve drejtuese. Ky do të jetë një proces transparent”, u shpreh kryeministri Berisha.

Konkurimi

Ai tha në lidhje me Këshillin Kombëtar se konkurojnë rreth 400 personalitete me karrierë të shkëlqyer profesionale dhe kontribute thelbësore.
“Përzgjedhja është e vështirë por kam besimin më të madh që delegatët do të votojnë për kandidatët më të mirë. Do të votojnë për kandidatin më të mirë, Sali Berishën”, pohoi kryetari i Partisë Demokratike. Kryeministri Berisha deklaroi se Shqipëria ka një ekonomi tregu funksionale që i rezistoi krizës më të madhe evropiane dhe botërorë që prej viteve 30 të shekullit të kaluar.
“Kjo është një ekonomi tregu dhe ndaj ja doli të rezistojë ndaj krizës”, tha Kryeministri.
Partia Demokratike,- vijoi Berisha- është parti e vizionit më të shkëlqyer të shqiptarëve. “Vizioni është anëtarësimi i plotë në BE dhe transformimi i këtij vendi”, theksoi kryeministri.
Ndaj,- shtoi ai, -jam këtu për të shprehur nderimin më të madh, respektin më të thellë ndaj studentëve dhe intelektualëve që themeluan më 11 dhjetor, në ora 11:00, Partinë Demokratike të Shqipërisë.

Ky lajm është publikuar: 14/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›