Tenderi për makinat e reja të policisë, me shkeljeNga TemaSikur kontrata të zbatohej në mënyrë skrupuloze në të gjithë parametrat e saj, atëherë që prej 30 nëntorit në parkingun e Policisë së Shtetit duhet të ishin rreth 300 makina më tepër. Mirëpo,
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Tenderi për makinat e reja të policisë, me shkeljeNga TemaSikur kontrata të zbatohej në mënyrë skrupuloze në të gjithë parametrat e saj, atëherë që prej 30 nëntorit në parkingun e Policisë së Shtetit duhet të ishin rreth 300 makina më tepër. Mirëpo, edhe pse kanë kaluar rreth 12 ditë, makinat akoma nuk janë dukur dhe nuk dihet se edhe sa ditë të tjera do të kalojnë, deri kur ato të vihen në dispozicion të policisë.
Bëhet fjalë për një tender me Ent Prokurues Ministrinë e Brendshme, i zhvilluar që në muajin gusht, me vlerë afro 3.5 milionë euro, qëllimi i së cilit ishte përmirësimi i inventarit të policisë me makina të reja, ku fitues u shpall bashkimi i operatorëve “Noshi” dhe “Aima”. I pari, me drejtim aktiviteti shitje makinash të reja, kurse subjekti i dytë, me objekt veprimtarie, dhënie makinash me qira dhe shitje makinash të përdorura.
Termi kryesor i kontratës, termi më i rëndësishëm i saj, ishte padyshim, lëvrimi i kontingjentit brenda datës 30 nëntor 2009. Por shkelja e këtij afati është edhe gjurma kryesore që e denoncon këtë tender, njësoj, sikurse ka ndodhur rëndom edhe me tenderë të tjerë, të mbushur me dyshime për një akt korruptiv, një tender ku është shkelur barazia në garë. Pse? Sepse mjaft nga operatorët e tjerë të tregtimit të makinave të reja, të përshtatshëm për të marrë pjesë në tender, janë vetë-përjashtuar, pikërisht të dekurajuar nga afati kohor i vendosur.
E thënë më thjesht, shumë prej subjekteve që merren me tregtimin e makinave të reja, nuk kanë pasur besim - në konsultim ky përfundim edhe me partnerët e tyre - se mund t’i përmbaheshin afatit kohor. Dhe të mos i përmbahesh afatit kohor, në një rast të tillë do të thotë të vihesh para vështirësive të mëdha. Sepse fare mirë Enti Porositës, që në rastin konkret është Ministria e Brendshme, mund të anulojë porosinë, dhe kompanisë fituese të tenderit i duhet të mendojë për “sistemimin” e një kontingjenti malli, i cili nga treg të sigurt që kishte, nëse tenderi do të ishte zbatuar, do kalonte në një treg thuajse inekzistent. Kjo logjikë ka përshkuar mendjen e mjaft prej drejtuesve të subjekteve që tregtojnë makina të reja dhe logjika i ka shtyrë drejt mospjesëmarrjes në tender.
Mirëpo një hap i tillë nuk do ndërmerrej prej tyre, po qe se afati i realizimit të kontratës nuk do ishte data 30 nëntor, por më vonë se aq. Ja pra kjo është pabarazia në tenderin e organizuar nga Ministria e Brendshme. Nga ana tjetër, mosqëndrimi skrupuloz karshi afateve të përcaktuara, tolerimi i shkeljeve të afateve ose përmirësimi i kontratës, sipas mundësive dhe situatave të improvizuara nga subjekti fitues, përbën një nga shenjat kryesore - por jo të vetme - të faktit se ky tender ishte i “kopsitur” për t’u fituar nga ai subjekt që u fitua.
Nëse kjo gjë do të ndodhte me çdo subjekt fitues, atëherë gara do të kishte qenë më e pasur me aktorë në konkurrim dhe me alternativa më të shumta. Për rrjedhojë edhe produkti i përfituar nga konkurrimi do të kishte qenë më cilësor. Mirëpo kjo duket se pak rëndësi ka pasur tek organizatorët e tenderit dhe pak rëndësi ka gjithmonë në raste të tilla, përderisa tiparet kryesore të tij kanë qenë paracaktimi dhe ryshfeti i përfituar. Konkurrentëve të tjerë nuk iu mbetet gjë tjetër veçse shija e hidhur e të qenit viktimë e pabarazisë së krijuar edhe në një tender tjetër.