E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha takon Papën: Si sot 543 vjet më parë, edhe Skënderbeu u prit nga Ati i ShenjtëNga TemaKryeministri, Sali Berisha, tha dje pas audiencës me Papa Benediktin e XVI, se ajo ishte një vizitë kulmore, pasi përkonte me ditën kur Skënderbeu ishte pri

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Berisha takon Papën: Si sot 543 vjet më parë, edhe Skënderbeu u prit nga Ati i ShenjtëNga Tema

Kryeministri, Sali Berisha, tha dje pas audiencës me Papa Benediktin e XVI, se ajo ishte një vizitë kulmore, pasi përkonte me ditën kur Skënderbeu ishte pritur në audiencë nga Papa Pali II, plot 543 vjet më parë.

Duke bërë politikën e ditës me vizitën, Berisha tha se Skënderbeu mbrojti vokacionin perëndimor të kombit shqiptar. Prej ditësh Berisha po akuzon opozitën se i është kundërvënë integrimit të vendit, ndërsa vetë ka marrë flamurin e njeriut që po çon përpara integrimin.

Takimi

Kryeministri Berisha u prit në një audiencë të veçantë nga Shenjtëria e Tij, Papa Benedikti XVI, në Vatikan, së bashku me bashkëshorten, Liri Berisha, dhe delegacionin që e shoqëronte. Pas ceremonialit të rojeve zvicerane, kryeministri Berisha zhvilloi një takim kokë më kokë me Papa Benediktin XVI.

Pas takimit, Berisha tha se takimi do të mbetet i pashlyer në kujtesën e të pranishmëve.

“Por nuk mund të mos theksoj në këto çaste, një moment kulmor që do të ngelet përjetë në memorien time. Sot e 543 vjet më parë, më 12 dhjetor, prijësi i përjetshëm i kombit shqiptar, Skënderbeu, u prit në Vatikan nga Papa Pali II. Ai erdhi këtu për të kërkuar dhe gjeti mbështetje në përpjekjet e tij legjendare për të mbrojtur vokacionin perëndimor të kombit shqiptar, vlerat e mëdha të Perëndimit në rajon kundër invadorëve. Nuk besoj se do të mund të ishte gjetur gjë e më e bukur, gjë më domethënëse në jetën time, për mua dhe shqiptarët sesa kjo audiencë, kjo pritje që më akordohet më 12 dhjetor, në këtë përvjetor të madh të marrëdhënieve të Shqipërisë me Selinë e Shenjtë. Edhe një herë, një mirënjohje shumë të thellë Atit të Shenjtë për audiencën që më akordoi!” - tha Berisha.

Kryeministri theksoi se Selia e Shenjtë e kishte përkrahur Shqipërinë që në hapat e parë në rrugën drejt demokracisë.

“Ishte një rast shumë i veçantë për mua për t’i shprehur Shenjtërisë së Tij mirënjohjen më të thellë, timen dhe të mbarë shqiptareve. Kombi shqiptar dhe Vatikani kanë një histori të gjatë bashkëpunimi, aleance, rreth vlerave të mëdha të njeriut, të shoqërisë dhe besimeve. Por unë gjithashtu, kisha një rast akoma më të veçantë, sepse duhet ta dini se në dhjetor të viti 1990, të parët e më të parëve, që erdhën për të mbështetur opozitën shqiptare, që erdhën për të mbështetur shqiptarët në rrugën e lirisë, ishin përfaqësuesit e Papës Gjon Pali II, Monsignor Vicenzo Paglia, dhe të dërguar të tjerë të Vatikanit, të cilët na shoqëruan ne, na ndihmuan ne, në betejën tonë për të nxjerrë vendin nga diktatura dhe për të arritur atë fitore që arritëm më 22 mars të viti 1992”, - tha Berisha.

Kryeministri shtoi se Selia e Shenjtë ka kontributin e vet “si në ringjalljen e vlerave dhe besimit te Zoti, rindërtimin e infrastrukturës shpirtërore të shqiptarëve, ashtu dhe në fushën e arsimit, në fushën e ndihmës humanitare, në fushën sociale, në të gjitha fushat e tjera.”

Berisha nuk la pa përmendur dhe kontributin e Vatikanit në çështjen e Kosovës.

“Por në memorien e shqiptarëve do të mbetet gjithmonë e gjallë mbështetja e madhe që Vatikani i ka dhënë popullit të Kosovës në përpjekjet e tij për liri dhe dinjitet. Interesi direkt i Papa Gjon Palit II, nxjerrjes nga kthetrat e Millosheviçit me anë të të dërguarve të tij direkt në Beograd, me angazhimin e tij, të gjitha këto janë momente të mëdha në miqësinë midis Vatikanit dhe Shqipërisë. Natyrisht në bisedimet dhe në audiencën shumë të ngrohtë dhe të përzemërt që më rezervoi, i shpreha mirënjohje për mbështetjen e madhe që na kanë dhënë në procesin e integrimit”, - u shpreh kryeministri.

Ai shtoi se, “Papa Benedikti XVI më garantoi se ai dhe Selia e Shenjtë mbështetin plotësisht procesin e integrimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, ndjekin me admirim arritjet e vendit në këtë drejtim dhe janë të sigurt në të ardhmen e shkëlqyer evropiane të Shqipërisë.”

Berisha pranoi se kishte ftuar Atin e Shenjtë për një vizitë në Shqipëri.

“Viti që vjen është një vit i madh për mbarë njerëzimin, është 100-vjetori i Nënë Terezës. Unë e shfrytëzova rastin dhe i dorëzova ftesën Shenjtërisë së Tij, Papës Benedikti XVI, të cilin e ka ftuar edhe Episkopati i Shqipërisë, që këtë 100-vjetor ta kthejmë vizitën e tij në një ngjarje kulmore, në festimin e 100-vjetorit që Nënë Tereza meriton. E njoha gjithashtu me përpjekjet që ne po bëjmë për ta festuar sa më me dinjitet, për ta nderuar sa më me dinjitet, këtë bijë të madhe të Shqipërisë dhe të mbarë njerëzimit.”

Viti 2009, Berisha barazohet dhe tejkalon Skënderbeun

Këtë vit kryeministri, Sali Berisha, e ka krahasuar disa herë veten me Heroin tonë Kombëtar, Skënderbeun. Duke nisur që nga beteja elektorale, kur ai u shpall luftëtar si Skënderbeu e deri te kriza politike e fundvitit, kur ai pranoi se ia kishte kaluar madje Heroit Kombëtar, pasi e kishte ndryshuar Shqipërinë më shumë se çdokush tjetër që nga koha e Skënderbeut.

“Ramës do ia bëj më zi se Skënderbeu turqve”

17.05.2009

Kryeministri, Sali Berisha, i kërkoi sërish kreut të PS, Edi Rama, që të japë dorëheqjen nga posti i kryetarit të bashkisë dhe të futet në garë për zgjedhjet e 28 qershorit. Duke folur nga Shënavlashi, ku inauguroi shkollën e mesme të bashkuar “Besnik Hidri”, kreu i qeverisë u shpreh i sigurt për një fitore të thellë të PD, teksa premtoi se me vota do t’ia nxijë kreut të socialistëve. “Në Krujë më erdhi ndërmend t’i thosha diçka, por mendova se po tmerrohej. Në Krujë i thashë: Eja këtu, ngriji sytë lart dhe shiko shtatoren e Skënderbeut, lutju të të japë pak kurajë. Kurse këtu tek ju, po them këtë tjetrën: Për mua dhe për ju Skënderbeu është hyjni, është idhulli ynë, por unë atij do t’ia bëj më zi se sa ua ka bërë Skënderbeu otomanëve, jo me shpata, jo me topa, por me vota, me vota të lira dhe të ndershme”, - u shpreh Berisha. Kryeministri i bëri deklaratat gjatë ndjekjes së një ore mësimi të lëndës së gjeografisë, ku nxënësit njiheshin përmes pamjeve filmike dhe materialeve vizive me detajet e ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës.

“Që nga koha e Skënderbeut nuk janë bërë kaq shumë ndryshime”

23.11.2009

Duke folur nga Kruja, ku shpesh ai gjen vendin për ta krahasuar veten me Skënderbeun, kryeministri, Sali Berisha, tha se që nga koha e Skënderbeut nuk janë bërë kaq shumë hapa për vendin.

“Ky vit ka qenë një vit i madh në historinë tonë, vit në të cilin ne, që nga koha e Skënderbeut e deri më sot, shënuam hapat më të mëdha, arritjet më historike, në drejtim të integrimit tonë në botën e lirë, integrimit tonë në NATO, integrimit tonë në Bashkimin Evropian. Në prill ne patëm ngjarjen më historike që nga pavarësia e Shqipërisë, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO; më 28 qershor fitoren më historike pas 22 marsit të demokracisë shqiptare, zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe fitoren e Partisë Demokratike dhe të koalicionit që qeveris sot; më 16 nëntor, vendet anëtare të Bashkimit Evropian pranuan kërkesën tonë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian; gjatë tetorit dhe nëntorit u mor vendimi politik për heqjen e vizave, sapo Shqipëria dhe shqiptarët të plotësojnë kushtet teknike. Kurrë ndonjëherë në një hark kohor kaq të shkurtër nuk kemi pasur vendime kaq të mëdha dhe pozitive për secilin prej nesh, për Shqipërinë në tërësi, për shqiptarët në tërësi”, - tha Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›