E Diel, 1 Nëntor 2026

Shalsi: Berisha dhe Meta duan të na armiqësojnë me qytetarët

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Eduard Shalsi, është prononcuar lidhur me projektin për ndërtimin e parkut të ri, pranë Fushës së Aviacionit, duke iu referuar njëkohësisht pengesës që sjell mosmiratimi i buxhetit të Tiranës për vitin 2009, në realizimin e këtij projekti. Ndër të tjera, nënkryetari i bashkisë, Eduard Shalsi, u shpreh: "Një park i ri prej 50 mijë m2 është projektuar në këtë hapësirë me kërkesën e qytetarëve dhe do të fillonte për t‘u zbatuar me buxhetin e vitit 2009, por Sali Berisha e Ilir Meta nuk duan një park të ri për familjet e kryeqytetit, por duan zhurmën e pluhurin e kësaj hapësire për të nxjerrë përfitimet e tyre politike, me shpresën revoltuese se në këtë mënyrë ata do armiqësojnë qytetarët me bashkinë". Sipas Shalsit, kjo është edhe arsyeja se përse ata votuan me një dorë rrëzimin e buxhetit, duke ndaluar edhe ndërtimin e këtij parku të madh, megjithëse përditë bëjnë sikur u qan zemra për hapësirat e gjelbra.

Nga ana tjetër, kryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Sokol Dervishaj, u shpreh dje se buxheti, i cili është rrëzuar dy herë nga Këshilli Bashkiak, ka afat kohor për t‘u miratuar deri në tre muaj. Gjatë kësaj periudhe, ky këshill mund të mblidhet disa herë për të diskutuar, apo votuar buxhetin e vitit 2009, që mund të rrëzohet disa herë, deri në gjetjen e konsensusit midis këshilltarëve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›