E Diel, 1 Nëntor 2026

Balla: “Nuk ka bashkëpunim me qeverinë pa u bërë transparenca”



Eneida Jacaj

Partia Socialiste nuk e ka pranuar ofertën e kryeministrit Sali Berisha për bashkëpunim, duke e cilësuar si hipokrite.
Dy ditë më parë, kreu i Ekzekutivit e ftoi opozitën të propozojë amendamente për ato projektligje që kërkojnë 3/5 e votave, por opozita e ka refuzuar diversionin e radhës së maxhorancës. Selia rozë nuk tërhiqet nga qëndrimi i saj për përmbushjen e kërkesës për transparencën e zgjedhjeve. Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, është shprehur se Berisha, si një Mugabe në mes të Europës, në vend që të reflektonte për qorrsokakun ku e ka futur vendin, u tregua edhe njëherë një hipokrit i pandreqshëm duke e ftuar opozitën për bashkëpunim.
Deklarata
“Sot më shumë se kurrë në Shqipëri dhe në botën demokratike të gjithë janë të bindur se më 28 qershor të vitit 2009 Sali Berisha vodhi zgjedhjet e përgjithshme duke e futur vendin në një krizë të thellë politike, institucionale dhe ekonomike”, - u shpreh Balla, duke shtuar se “Sali Berisha na propozoi të harrojmë që një vit më parë u grabiti shqiptarëve votat për t’u grabitur atyre më pas gjithçka: troje, paga, pensione, fonde publike. Sali Berisha na tha se pasi e vodhi mandatin e dytë, do të vazhdojë ta përdorë pushtetin për të grabitur Shqipërinë mbarë, për të rrënuar ekonominë, për të asfiksuar Drejtësinë dhe për të shtypur median e lirë”.
Zgjedhjet
Deputeti Balla i bërë të qartë kryeministrit Berisha se opozita nuk ka ndër mend të heqë dorë nga transparenca. “Është mëse e qartë se plaku Sali e ka humbur toruan nëse shpreson seriozisht se opozita shqiptare do të heqë dorë nga kauza e saj për t’i lejuar një kryehajduti të shndërrohet në mbretin e pashpallur të këtij vendi. Është pikërisht në emër të së ardhmes së demokracisë në Shqipëri që opozita shqiptare ka ndërmarrë aksionin më të madh politik për transparencën e zgjedhjeve”, - tha Balla. Deputeti argumentoi se nëse nuk zbardhen zgjedhjet e kaluara, manipulimi i proceseve të ardhshme zgjedhore nuk do të marrë fund. “E ardhmja jonë europiane do të vihej seriozisht në dyshim nëse ne sot do t’ia falnim Sali Berishës barrën e rëndë që i peshon mbi supe nga grabitja e zgjedhjeve. Të harrosh krimin elektoral të 28 qershorit do të thotë të harrosh se në Shqipëri do të ketë ndonjëherë zgjedhje të lira e të ndershme, do të thotë të pranosh se në Shqipëri qytetarët nuk mund të vendosin më me vullnetin e tyre të lirë, por duhet të dorëzohen pa kushte përballë diktatit të pushteti”, - tha Balla, duke shtuar se “Sali Berisha duhet ta ketë të qartë se është në moralin dhe përgjegjësinë tonë para shqiptarëve, por edhe angazhim përkundrejt institucioneve europiane, për ta çuar deri në fund kauzën e transparencës së zgjedhjeve. Në emër të këtij morali dhe të kësaj përgjegjësie ne nuk nuk mund t’i shtrijmë dorën e bashkëpunimit një pushteti të vjedhur”.

Përplasen Prefekturë-Bashki, Kruja: “Auditimi është i ligjshëm”

Prefekti i Tiranës, Keltis Kruja, ka reaguar ndaj Bashkisë së Tiranës duke u shprehur se auditimi i kërkuar prej institucionit që ai drejton është i ligjshëm. “Auditimi i Bashkisë së Tiranës është në kompetencë të prefektit të qarkut Tiranë, ashtu siç kontrollohet dhe auditohet çdo organ i qeverisjes vendore të qarkut Tiranë, dhe jo vetëm për fondin e veçantë. Në këtë kuadër këtu nuk ka synim për ndërhyrje apo cenim të kërkesave tuaja ligjore”, - thuhet në letrën drejtuar Bashkisë së Tiranës. Në letrën e Krujës sqarohet se kërkesa për auditim në Bashki i referohet vetëm kontrollit financiar për fondet e ardhura nga buxheti i shtetit, ndërsa sqarohet se këto janë përpjekje të Bashkisë për të mos zbatuar ligjet në fuqi. "Në kërkesën tonë ne u jemi referuar vetëm akteve ligjore në fuqi, të cilat parashikojnë më së miri kompetencën ligjore të kontrollit financiar. Gjithashtu më duhet t’u ritheksoj se ushtrimi i auditimit dhe kontrollit financiar nuk përbën kërcënim, por ushtrim kompetencash ligjore, të cilave ju në mënyrë të përsëritur mundoheni t’i shmangeni. Përpjekja juaj për të justifikuar mospërmbushjen e detyrimeve tuaja ligjore si sulme politike nuk është gjë tjetër veçse një dëshmi e qartë që tregon se Bashkia e Tiranës qeveriset nga ju në mospërputhje të thellë të ligjeve dhe, si rrjedhojë, edhe në shkelje të plotë të tyre”, - nënvizohet në letër.

30 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›