Shalsi: “Kryeministri abuzon me trojet që i kërkon Bashkia”
Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Eduard Shalsi, ka akuzuar kryeministrin si penguesin kryesore për ndërtimin e një shkolle pranë Bregut të Lumit. Ai është shprehur se trualli i Bregut të Lumit është një fakt konkret dhe rast tipik i abuzimit të Sali Berishës me trojet që i janë kërkuar nga Bashkia për shkolla. Njëkohësisht ai e ka akuzuar kryeministrin se po tjetërson pronat dhe pasuritë e përbashkëta në prona private. “Ringremë zërin për padrejtësinë e madhe sociale që po bën Sali Berisha ndaj komunitetit të Breglumit dhe për dyfytyrësinë e pashembullt të këtij simboli të politikës së vjetër, që në televizion akuzon Bashkinë e Tiranës që nuk ndërton shkolla, kurse në zyrën e tij të punës tjetërson pronat dhe pasuritë e përbashkëta në prona private”, - theksoi Shalsi.
Deklaratat mes krerëve të Bashkisë së Tiranës dhe kryeministrit kanë filluar kur ky i fundit ka akuzuar Bashkinë e Tiranës se nuk ka ndërtuar aq shkolla sa ç’kishte premtuar. Shalsi theksoi se të tjera fakte do të dalin në ditët në vijim mbi politikën që bllokon shkollat e reja në kurriz të pronave publike.
10 Mars 2009