Topi, apel qytetarëve për pajisjen me kartat e identitetit
Anëtarët e familjes presidenciale aplikuan për kartat e tyre të identitetit në Njësinë Bashkiake Nr. 9. Presidenti i vendit, Bamir Topi, ka kryer detyrimin ligjor me familjen e tij, duke iu drejtuar edhe qytetarëve të tjerë për të kryer aplikimin. Kreu i shtetit është zyrtari i parë që publikisht aplikon për t’u pajisur me dokumentin e tij të votimit, ku kërkoi më tepër punë propagandistike nga institucionet përgjegjëse, pasi, sipas tij, interesi i qytetarëve për të aplikuar dhe pajisur me karta ka rënë dukshëm. Kreu i shtetit u bëri apel qytetarëve të ndërgjegjësohen se letërnjoftimi elektronik, përveçse i garanton të drejtën e votës, redukton bezdinë e certifikatave. Madje, sipas tij, hap dhe dyert e Bashkimit Europian. “Të gjitha institucionet duhet të bëjnë patjetër propagandë në këtë drejtim dhe partitë politike nuk duhet ta shohin pajisjen e qytetarëve me karta identiteti vetëm në funksion të ditës së votimit. Sa kohë shpenzoni duke tentuar që të pajiseni me certifikata, që shpeshherë duhen në mjaft drejtime, do të jeni njerëz të siguruar, do të jeni qytetarë të denjë të një Europe, tek e cila ne shpresojmë të shkojmë. Do të ishte një mesazh shumë i mirë edhe për vendet partnere që ne jemi të gjithë të regjistruar, më së fundi të japim një shifër të saktë të popullsisë”, – u shpreh Topi. Kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike janë kusht i Bashkimit Europian për plotësimin e standardeve ndërkombëtare.
10 Mars 2009