E Diel, 1 Nëntor 2026

Shalsi: Vokshi shkeli ligjin për të fshehur pasurinë

Deputeti Eduard Shalsi deklaroi në një konferencë për shtyp, se ish-këshilltarja e kryeministrit Berisha, Albana Vokshi, aktualisht deputete, në deklaratën e pasurisë që ka plotësuar nuk kishte përfshire babain e fëmijëve të saj me të cilin bashkëjeton, Arian Tartarin, me pretendimin se Ligji nuk e parashikonte një marrëdhënie të tillë.

“Për fatin e keq të zonjës Vokshi, e gjithë kjo është një alibi që nuk e nxjerr atë nga bataku ku është zhytur. Ligji shqiptar e parashikon fare qartë, të zezë mbi të bardhë detyrimin e zyrtarëve dhe deputetëve për të deklaruar pasurinë apo interesat e biznesit të personit më të cilin bashkëjetojnë”, theksoi deputeti Shalsi.

Ai theksoi se, “kemi të bëjmë me një shmangie, me një mosplotësim të deklaratës vetëm e vetëm për të fshehur aferën korruptive që fshihet pas bizneseve të këtyre njerëzve në sherbim të familjes në pushtet”.

“Lidhjet e ngushta me Sali Berishën nuk mund tu afrojnë këtyre individëve imunitet nga përballja me ligjin për aktivitetet e tyre korruptive dhe abuzimin me pasurinë e shqiptarëve”, vazhdoi më tej z. Shalsi.

Deputeti socialist akuzoi Albana Vokshin se ka pranuar një dhuratë të majme, por e ka fshehur këtë fakt. “Megjithese përfiton nga Sali Berisha fusha nafte me vlerë 4 miliard dollarë për partnerin e saj, por thjesht nuk merr mundim ta zbardhë këtë fakt në deklarimin e saj të pasurisë”, deklaroi deputeti i opozitës.

Ndërkohë, Partia Socialiste i kërkon ILDKP që të fillojë menjëherë hetimin administrativ për mosdeklarimin e deputetes Albana Vokshi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›