Shalsi: Çdo negociatë me Berishën është qorrsokak

“Nëse misioni ynë fisnik e kërkon, gati ta lë mandatin”
Teksa tryeza e negociatave për zgjidhjen e krizës politike po afron, deputeti socialist, Eduard Shalsi, shfaqet dukshëm pesimist. Në një intervistë për “Shqip”, ai deklaron se është krejtësisht e pafrytshme të diskutohet me një njeri që ka dhënë prova se nuk di ta mbajë fjalën, as edhe kur ajo është e shkruar. Shalsi shkon më tej kur thotë se çdo negociatë me Sali Berishën është një qorrsokak.
Zoti Shalsi, vëmendja e opinionit publik vazhdon të mbetet te qëndrimi dhe vendimi politik i bojkotit të opozitës së majtë. Mendoni se ky bojkot parlamentar po i shërben ende opozitës?
Pothuajse 20 vjet pas përmbysjes së regjimit komunist nuk kam pikën e dyshimit, se nuk ishte kjo Shqipëria që ne ëndërronim kur luftuam për demokraci. Prej shumë kohësh kam konsoliduar bindjen se kasta e re e postdiktaturës me në krye Sali Berishën është plotësisht e paditur dhe e paaftë për t’iu përgjigjur sfidave me të cilat përballet Shqipëria. Ata janë krejtësisht pa vizion për të ndërtuar një Shqipëri demokratike. Një nga dështimet madhore të këtij tranzicioni sfilitës është mungesa e vullnetit dhe e aftësisë së pushtetarëve për të organizuar zgjedhje të drejta dhe të ndershme. Kemi vuajtur dhe vazhdojmë të vuajmë gjatë gjithë këtyre viteve nga plagë të shumta, burimi i të cilave është pikërisht kjo murtajë. Pa shëruar njëherë e mirë këtë gangrenë ne nuk do të mund kurrë të ndërtojmë një shtet demokratik. Pikërisht për këtë arsye, unë jam thellësisht i ndërgjegjshëm se ky bojkot nuk i shërben vetëm opozitës, por u shërben të gjithë shqiptarëve që kërkojnë të jetojnë dhe punojnë në një vend demokratik. Ne nuk mund të tolerojmë që në Shqipërinë e shekullin të 21-të, një pushtet, të cilin ne e akuzojmë se ka dalë nga korrupsioni i votës, të guxojë të mos lejojë transparencën e zgjedhjeve. Koha, kur përmbajtja e letrave që gjendeshin brenda kutive zgjedhore varrosej pa u marrë vesh asnjëherë e vërteta se çfarë fshihej në to, duhet të përfundojë njëherë e mirë. Përballë kësaj qeverie arrogante, rruga e vetme efektive është bojkoti i vendosur parlamentar i opozitës dhe protestat masive qytetare. Qëllimi ynë është që populli të mësojë të vërtetën, të vërtetën e plotë dhe asnjë gjë tjetër përveçse të vërtetës që fshihet në kutitë e votimit.
Ka një mendim dominant në publik për tejzgjatjen e paarsyeshme të bojkotit prej opozitës. E konstatoni ju këtë gjykim të publikut dhe si mund ta merrni në konsideratë atë? PS, për shkak të këtij bojkoti, ka të hapur një debat brenda saj, një debat që duket se përmban edhe premisat e mundshme të një çarjeje. Deri ku mund të shkojë sipas jush kjo ndarje mes PS-së dhe të ashtuquajturit LMN?
Si njeri i terrenit, ashtu sikundër kam qenë edhe në pozitat e nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës, kontaktet e vazhdueshme me qytetarët më kanë zhvilluar, mësuar dhe motivuar shumë në punën time. Unë nuk e kam të qartë se ku e mbështesni ju atë që thoni për “mendim dominant”, por desha t’ju siguroj se e gjithë sjellja opozitare e deritanishme mbështetet dhe rezonon absolutisht me opinionin publik. Për hir të së vërtetës duhet thënë se pakënaqësia kundrejt kësaj qeverie po vjen gjithnjë e më shumë duke u rritur dhe shumë shpejt ju do të jeni dëshmitarë të përmasave të reja që do të marrin protestat tona. Dhe këtu e kam fjalën jo vetëm për anëtarët dhe simpatizantët e PS-së, por edhe ato dhjetëra e mijëra shqiptarë të ndershëm që po na bashkohen dita-ditës. Unë personalisht respektoj edhe opinionet e ndryshme, pavarësisht nëse jam apo jo dakord me ta. Ndërkohë, di të shquaj mirë qëllimet e ndryshme dhe aspak parimore që i kanë sjellë bashkë disa njerëz që ambicia personale dhe inati kundër Edi Ramës i kanë shndërruar në opozitare të PS, gjë që e konsideroj nonsens absolut. Sepse në këtë situatë pragkolapsi ku gjendet vendi, gjykoj që PS ka një prioritet mbi prioritetet dhe ky është, jo fati personal i deputetëve, i mandatit apo karrierës së tyre por, fati i mijëra e mijëra shqiptarëve që me të drejtë kanë kthyer sytë nga ne dhe kërkojnë një rrugëdalje nga ky batak, ku e ka zhytur vendin Sali Berisha dhe nga ku, për hir të së vërtetës unë nuk besoj se mund të dalim me negociata.
Që nuk mund të dalim me negociata? çfarë do të thotë kjo Z. Shalsi?
Pak më para ju përmenda që edhe unë e kam një mendim timin dhe që pres ta diskutoj në forumet e PS, pasi e kam diskutuar me kolegë e njerëz të ndryshëm simpatizantë ose jo të Partisë. Përpara zgjedhjeve të 28 qershorit të gjithë ju jeni dëshmitarë të konsensusit që Edi Rama dhe PS i dha qeverisë për një sërë çështjesh thelbësore për vendin, si ajo e anëtarësimit në NATO, Kodi Zgjedhor etj. Edhe unë si pjesa dërrmuese e anëtarëve të PS, kam qenë një nga mbështetësit e kësaj politike. Por rrjedhja e ngjarjeve gjatë dhe pas 28 qershorit më kanë bërë të reflektoj shumë mbi faktin nëse ka qenë apo jo i drejtë qëndrimi dhe sjellja jonë politike. Në këndvështrimin tim do të mjaftonte vetëm “shkelja në besë” që Sali Berisha i bëri Kodit Zgjedhor dhe për pasojë edhe PS me mosrespektimin e kërkesës së dy anëtarëve të KQZ për rihapjen e kutive, gjë që përbënte çelësin e marrëveshjes, për të nxjerrë një përfundim: Si mund të negociohet me një njeri të paskrupullt që për hir të pushtetit nuk njeh as parime, as norma dhe as ligje? Unë e kuptoj që Edi Ramës dhe PS, edhe për hir të faktorit ndërkombëtar, do t’i duhet të negociojë, por kjo nuk më pengon aspak të besoj se kjo situatë nuk zgjidhet me negociata dhe ndaj gjykoj se është krejtësisht e pafrytshme të diskutohet me një njeri që ka dhënë prova të pakontestueshme se nuk di të mbajë fjalën, as edhe kur ajo është e shkruar. Shikoni me kujdes sjelljen e këtij njeriu pas 28 qershorit. Edhe pas gjithë këtyre viteve në politikë ai vazhdon të jetë po aq arrogant dhe i papërgjegjshëm sa ç’ishte para ’97. Dhe nëse pas 2005 u mundua të kuronte imazhin e tij të prishur keqas, pas zgjedhjeve të 28 qershorit ka hequr çdolloj maske dhe ka dalë ashtu siç është në origjinal. Në këtë “mejhane politike” që e ka shndërruar politikën shqiptare Sali Berisha, ku mund të thotë gjithçka dhe të akuzojë për çdo gjë dhe pastaj të flasë sikur të mos ketë ndodhur asnjë gjë, nuk mund të ketë negociata normale. Shikoni se si dhunon përditë ligjet e këtij vendi duke filluar nga të drejtat dhe liritë themelore. Shikoni se si familja në pushtet kontrollon gjithçka ashtu si Vëllai i Madh në librin e Orwellit. Shikoni tentakulat e korrupsionit që kanë mbërthyer çdo qelizë qeverisëse. Mjafton të shohësh numrin e madh të ligjeve që ka hedhur poshtë Gjykata Kushtetuese për të kuptuar mendësinë se si konceptohen dhe hartohen ligjet nga Sali Berisha. Arsyet se pse janë bërë keq këto ligje kanë të bëjnë vetëm me qëllimet e mbrapshta personale të Sali Berishës dhe aspak me qëllimet madhore të publikut. Do të mjaftonte vetëm fyerja publike (më thoni cilin ka lënë pa përgojuar dhe ofenduar!) që ky njeri i bëri jo më një kundërshtari politik, por një qytetari të ndershëm dhe të virtytshëm, i cili i kundërvihej me argumente marrëveshjes detare me Greqinë që të kuptohet se çfarë mund të dalë nga negociatat me Sali Berishën. Shikoni raportet me mediat dhe ku kërkon ta katandisë lirinë e tyre. Shikoni se çfarë po i bën demokracisë vendore! Ka një raport (detyrime për t’u zbatuar nga shteti shqiptar) të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të KiE të vitit 2006 për demokracinë vendore në Shqipëri, të cilin ky njeri bashkë me shpurën e tij të paaftë të veshur ndonjëherë edhe me tituj profesorësh e doktorësh, e ka dhunuar sistematikisht dhe për të cilën nuk ka dhënë ende përgjigje siç dhe kishte detyrimin të bënte që në vitin 2008. Këto fakte më tregojnë në përfundimin se çdo negociatë me Sali Berishën është një qorrsokak.
ç’mendoni ju për përgatitjet e deritanishme të këtyre negociatave? A është e nevojshme që për këto negociata të ketë mbledhje të forumeve të larta të Partisë?
Do t’ju ftoja të shikonit me kujdes kronologjinë e ngjarjeve politike pas rezolutës së Asamblesë Parlamentare të KiE për Shqipërinë për të kuptuar se çfarë fshihet pas prononcimeve të Sali Berishës dhe kukullave të tij. Lojërat e fjalëve dhe pingponglliqet politike janë e vetmja përgjigje e ofruar prej tyre. Dukshëm ato nuk janë të interesuar për zgjidhje, por për të mbajtur me çdo kusht pushtetin që deri më tani kanë frikë ta provojnë se e meritojnë, ndërkohë që ne kemi të gjitha arsyet të mendojmë se e kanë të vjedhur. Unë mendoj se është e domosdoshme një thirrje e Asamblesë Kombëtare të PS për të diskutuar rrugën që duhet të ndjekim. Si mund të futemi në negociata kur Sali Berisha nuk pranon kushtin tonë themelor që është hapja e kutive? Përse PS duhet të presë zgjidhje nga negociatat? çfarë garancie ka ulja në tavolinë me moderator Presidentin e Republikës kur e kemi të provuar tashmë se Sali Berisha nuk njeh dhe nuk respekton asnjë pushtet tjetër veç vetvetes? Të ulesh me Sali Berishën në tavolinë për të gjetur zgjidhje nuk është e pamundur, por është krejtësisht e kotë ndaj dhe unë jam pesimist në lidhje me rezultatet e këtyre negociatave.
Por si mund të shmangen negociatat kur ju keni pranuar rezultatin e zgjedhjeve dhe komuniteti ndërkombëtar ka bërë ftesë për dialog, Z. Shalsi?
Lokomotiva ka kohë që ka mbetur në stacion dhe ky Kryeministër nuk ka gjasa të ndezë motorin e saj për ta dërguar në destinacion. I gjithë qëndrimi i Sali Berishës sidomos pas 28 qershorit është një dhunim sistematik i parimeve dhe vlerave demokratike dhe për pasojë Shqipëria gjendet në një udhëkryq nga i cili nëse marrim drejtimin e gabuar edhe kësaj here, do të na duhet edhe kushedi sesa vite për të mbërritur në destinacionin që quhet Europë. Vazhdimisht kemi gabuar drejtim. Unë e di se nuk mund të shkojmë në destinacion brenda natës, por unë besoj se mund të ndryshojmë drejtim shumë shpejt. Nuk mund t’ia lejojmë më vetes të diskutojmë me një “doktor”, që ka provuar tashmë se nuk di të shërojë, por di të hapë veç plagë. Dialogu ka kuptim kur bëhet mbi bazën e disa rregullave, të cilat palët kanë dhënë prova se dinë t’i respektojnë. Nuk mund dhe nuk duhet lejuar që tallja e Sali Berishës me këtë popull të vazhdojë më gjatë. Ne kemi përgjegjësinë dhe detyrimin ta ndalojmë.
Zoti Rama është shprehur se nëse negociatat dështojnë, opozita do të nisë protestat. Ju jeni i këtij mendimi?
Unë nuk jam i këtij mendimi. Unë jam plotësisht i mendimit se ne duhet të vazhdojmë protestat me të njëjtin intensitet që i kemi planifikuar dhe se çdolloj tërheqjeje është e dëmshme dhe nuk i shërben qëllimit tonë madhor. Unë jam i bindur se Sali Berisha nuk mund të dalë jashtë natyrës dhe formimit të tij dhe do të dojë t’i kthejë negociatat në pazare të ulëta politike ku të fillojë të tregtojë poste dhe pozicione, ndërkohë që ne nuk kemi kohë për të humbur. Rruga jonë pa kthim është t’i japim vendit legjitimitetin e munguar qeverisës dhe ta kthejmë procesin zgjedhor në një ngjarje të respektuar dhe dinjitoze.
Nëse negociatat bëhen edhe më të vështira rreziku i djegies së mandateve të deputetëve është eminent. ç’mendoni ju për këtë çështje?
Me lejoni t’ju them se asnjëherë nuk më ka shqetësuar rreziku i djegies së mandateve, por më ka hidhëruar fakti që kjo çështje është provuar të bëhet tema e ditës. Kur vendosa të jem aktiv në politikë nuk kisha si qëllim të bëhesha deputet dhe as sot nuk më shërben si qëllim në vetvete. Unë e konsideroj privilegj dhe nder të madh t’i shërbej publikut dhe kësisoj kam marrë përsipër të përfaqësoj njerëzit të cilët më kërkojnë të jem në koherencë me mendimin dhe aspiratat e tyre. çështja e djegies së mandateve është diversioni që shërbëtorja çalamane dhe bindur e Saliut kërkon të bëjë duke dashur të shfokusojë vëmendjen nga thelbi i krizës. Mandatet nuk mund të digjen, por po ju them se nëse qëllimi ynë fisnik do të kërkonte që unë të hiqja dorë nga mandati im, unë do ta bëja pa asnjë mëdyshje.
Ditët e fundit duket se ka një riaktivizim politik të ish-kryetarit të PS-së, zotit Fatos Nano. Mendoni se kjo ndërhyrje e tij mund ta problematizojë situatën brenda së majtës?
Me gjithë eksperiencën e tij të gjatë në politikë nuk arrij të kuptoj se pse ai ka mbajtur qëndrime aspak koherente dhe shpeshherë kontradiktore, qyshse humbi dhe dorëzoi pushtetin në mënyrë qytetare në 2005. Të gjitha përpjekjet e tij për t’u riaktivizuar në skenën politike kanë qenë krejtësisht në kundërshtim me qëllimin e tij të bërë publik. S’e kuptoj se si është bërë partner me Saliun dhe Iirin. Ndërkohë që synonte një pozicion që do të ishte mbi palët, ai u bë palë me njerëzit që e kishin anatemuar më fort dhe më ashpër duke besuar me naivitet se mund të mbështetej tek ata, me të cilët unë personalisht nuk besoj se negociatat mund të sjellin marrëveshje. Nuk është hera e parë që tenton të rikthehet në politikë. Me duket pa qëllim dhe pa strategji për t’i shërbyer publikut. Ose nëse i ka, janë të dobëta dhe pamjaftueshme për t’i dhënë kredibilitet.
A do të futet opozita në lojën e zgjedhjeve kalendarike të radhës në këto kushte dhe në këtë gjendje? Nëse po, cilat do të jenë kushtet e ndryshuara prej saj në raport me kundërshtarin politik?
Jemi ende herët për të diskutuar për to, por një gjë duhet të bëjmë të qartë, që e gjithë kjo betejë me shumë sakrifica dhe vendosmëri që ne po bëjmë ka të bëjë pikërisht me standardet që duhet të plotësojnë tash e tutje zgjedhjet në Shqipëri, lokale a të përgjithshme qofshin. Ne nuk do të pranojmë më zgjedhje pa standarde dhe as do të kënaqemi më me klishenë “zgjedhje më të mira nga paraardhëset”.
#