E Diel, 1 Nëntor 2026

Shamku akuzon: Qeveria shkatërroi mësuesinë

Tiranë- Profesion në braktisje është në krizën e vet më të thellë, të panjohur kurrë më parë e ka quajtur sot Ledi Shamku nga selia e PS-së, profesionin e mësuesisë dhe për këtë ka bërë përgjegjës qeverinë Berisha.

“Pasi arsimtarët u ndjenë të tallur e të mashtruar gjithë këto katër vjet me premtime për dyfishime pagash apo për status të veçantë, pasi u përbuzën e u përdorën si vegla pa vlerë në ca eksperimenteve të dështuara, sot të rinjtë tanë mund të zgjedhin të bëhen shoferë apo tregtarë, por jo mësues!”- tha Shamku gjatë një deklarate për shtyp.

Ajo ka kërkuar që të lihen tej demagogjitë dhe që shqiptarëve tu thuhet e vërteta. “Në këtë vend askush nuk dëshiron më të bëhet mësues! Kjo forcë shkatërrimtare qeverisëse e vrau këtë profesion, vrau dëshirën e të rinjve dhe të rejave shqiptare për t’u bërë edukatorë brezash”- theksoi ajo.

Shamku ka kujtuar se në shumë qytete ka mungesa të ndjeshme të mësuesve. Ajo ka kujtuar se Tepelena, sot nuk ka më mësues matematike për shkollat e mesme dhe për këtë lëndë kaq themelore të udhëtojnë disa herë në javë mësues nga qytetet pranë.

“Për ne shkolla është mësuesi, nuk janë tullat, as bangat e as dokrrat mbi kompjuterat e moshës së internetit, ato janë aksesorë të shkollës. Rivendosja e dinjitetit dhe autoritetit të arsimtarit në shkollë dhe krejt shoqërinë është komponent i sfidës sonë në fushë të edukimit”- ka premtuar ajo.

Dhe ky dinjitet do të thotë kualifikim, shpërblim dhe status. Ata fëmijë që sot, për faj të kësaj kaste rrënuese, kanë reshtur së luajturi shkollash, nesër do të zgjedhin sërish të kenë pasionin dhe nderin për t’u bërë mësues.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›