Bllokohet në borë autobusi me mësues e nxënës
Elbasan- Bllokohet nga borë autobusi i arsimtarëve të zonës Labinotit Mal, në Elbasan. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e sotëm, kur autobusi ishte nisur si zakonisht për të transportuar mësuesit në shkollat e zonës. Rrugës ka marrë edhe nxënës të fshatrave përreth, por në zonën që njihet me emrin Qafë Shmil është bllokuar në borë.
Për momentin është krijuar panik mes nxënësve, por duket se situata është zgjidhur pas një telefonate të bërë në komunë. Sipas kryetarit të komunës Labinot Mal, Qani Xhafa menjëherë është nisur në vendin ku kishte mbetur autobusi një fadromë. “Pas telefonatës nisëm një fadromë që punoi për hapjen e rrugës dhe pas kësaj situata u normalizua dhe autobusi vazhdoi rrugën për në destinacion”- tha Xhafa.
Sot në zonat e Librazhdit ka rinisur normalisht mësimi pas një ndërprerje treditore bërë me urdhër të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, për shkak të kushteve të këqija të motit.