Shanaj: Ngjarja në Tushemisht, po keqinterpretohet

Aktori Mevlan Shanaj, ka reaguar ditën e sotme pas vendimit të dhënë nga Gjykata e Pogradecit për 41 vjeçarin, Adrian Hoxhallari, personi i cili qëlloi me armë banesën e tij.
Në një deklaratë për shtyp, aktori ka theksuar se ka keqinformim të ngjarjes së ndodhur ditën e dielë në shtëpinë e tij në Tushemisht të Pogradecit.
“Nga deklarimet tona në të gjitha rastet zyrtare dhe ato mediatike është theksuar se ky akt terrori kriminal, nuk ka ende motiv të njohur dhe askush nuk mund të japë përgjigje pa investigime dhe gjykime të mëtejshme. Është kjo arsyeja që na bën t`i drejtohemi shtypit dhe opinionit të saktësohet dhe jo të përbaltet emri ynë, sikur jemi bërë pjesë e një konflikti banal”, thuhet në deklaratën për shtyp të aktorit.
Po ashtu, Shanaj ka ritheksuar se nuk ka pasur asnjë rrethanë konflikti apo shkëmbimi fjalësh apo debate. Sipas tij, tentativat për të implikuar me grindjen banale emrin e tij dhe të bashkëshortes së tij, duhet të zbardhen nga specialistët.