E Diel, 1 Nëntor 2026

“Shansi i artë” i ministrit omonist, Spiro Ksera Nga Kristaq XhaDrejt Kongresit të Partisë Demokratike, që do të zhvillojë punimet ditën e hënë, më 14 dhjetor, kanë kthyer vëmendjen opinionistët dhe veprimtarët e minoritetit grek në Shqipëri,pasi një

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

“Shansi i artë” i ministrit omonist, Spiro Ksera Nga Kristaq Xha

Drejt Kongresit të Partisë Demokratike, që do të zhvillojë punimet ditën e hënë, më 14 dhjetor, kanë kthyer vëmendjen opinionistët dhe veprimtarët e minoritetit grek në Shqipëri,pasi një lëvizje e ministrit të Punës në qeverinë Βerisha mund të zgjidhë ngërçin që ka mbërthyer prej vitesh këtë komunitet. Spiro Ksera, përveç “çështjeve sociale”, mund të zgjidhë “me një të rënë të lapsit” edhe krizën politike që ka arritur majën në vendlindjen e tij. Nga garantues i “shanseve të barabarta” për të gjithë shtetasit shqiptarë, mund të sigurojë për vete “shansin e artë” dhe të ravijëzojë të ardhmen e përfaqësimit politik të komunitetit grek në vendin tonë.

Në fakt, kriza e përfaqësimit politik të minoritetit etnik grek ka filluar që në vitin 1991, kur parlamenti i dalë nga zgjedhjet e 31 marsit “nxori OMONIA-n jashtë ligjit”, duke i hequr të drejtën e të qenit “subjekt politik” nëpërmjet Paketës Kushtetuese që aprovoi (në këtë paketë ndalohej krijimi i partive mbi bazë etnike dhe fetare). Megjithëse Athina zyrtare dhe komuniteti ndërkombëtar i imponuan qeverisë shqiptare të pranojë dhe të lejojë krijimin e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, kriza e përfaqësimit politik nuk u zgjidh. Është e vërtetë që në zgjedhjet plebishitare të 22 marsit 1992 PBDNJ u përfaqësua në Parlamentin e Shqipërisë me dy deputet, por fill pas disa muajsh u krijuan organizatat socialiste në komunitetin grek. Eksponentët e OMONIA-s në atë kohë akuzuan PASOK-un dhe Konsullin e Përgjithshëm të Greqisë në Gjirokastër, zotin Vasilis Bornovas, si frymëzues dhe inspirues të strukturimit politik me socialistë grekë, ku nuk mungoi dhe inercia nacionaliste duke akuzuar segmente të shtetit shqiptar.

Për 15 vjet me radhë përballjet politike në komunitetin grek zhvilloheshin midis binomit OMONIA-PBDNJ dhe Partisë Socialiste. Madje PS ka fituar disa palë zgjedhjesh, ku kanë dalë deputetët Vangjel Tavo dhe Stefan Çipa, si dhe disa kryetarë komunash. Gjatë gjithë kësaj periudhe lideri de facto dhe de jure i OMONIA-s dhe i PBDNJ, zoti Vangjel Dule, predikonte se binomi i formacionit politik që drejtonte, gëzonte të drejtën ekskluzive në përfaqësimin politik të minoritetit etnik grek. Megjithëse faktet flisnin ndryshe. Omonistët kanë gëzuar pushtet në qeveritë e majta dhe të djathta. Kanë bërë aleanca parazgjedhore, të pjesshme dhe informale me Partinë Demokratike.

Kështu që u dashka etja e Sali Berishës për të kontrolluar këdo dhe gjithçka që të sfumohet edhe formalisht ekskluziviteti i përfaqësimit politik të minoritetit etnik grek. Kryeministri dhe kryetari i PD donte të ishte de facto, edhe kryetari i OMONIA-s, edhe kryetari i PBDNJ, duke përdorur si karrem pushtetin. Pas disfatës së “ekskluzivistëve” në zgjedhjet e qershorit të këtij viti (pa anashkaluar tjetërsimin e vullnetit të popullit me vota të blera në procesverbale të tenderuara), përfaqësimi politik i komunitetit grek nuk është tashmë një ngërç, por një “lak në fyt” për politikanët e tij. Në vazhdën e hakmarrjes primitive të Sali Berishës ndaj kundërshtarit më të ri politik, Vangjel Dules, dhe të përpjekjes së gjithanshme për të kthyer socialistët grekë të Shqipërisë si “specie në zhdukje”, horrori politik në këtë trevë ka arritur kulmin.

Kushtetuta e Shqipërisë e lejon tanimë të projektohet dhe propagandohet krijimi i një partie etnike (greke). Por frymëzuesit, jo vetëm që i druhen Kodit Elektoral dhe një ndryshimi të mundshëm të sistemit zgjedhor (këto 19 vite pluralizmi shqiptarët kanë votuar me 4 sisteme të ndryshme zgjedhore), por nuk kanë asnjë garanci se zoti Dule do të shkrijë partinë e tij, pothuajse e pamundur, ngaqë më 19 dhjetor është thirrur në Tiranë Kongresi i PBDNJ, se socialistët grekë do të braktisin Edi Ramën duke u ndikuar edhe nga tendencat asimiluese që shfaq zoti Dule ndaj tyre, se zoti Berisha mund të aprovojë ose të disaprovojë një lëvizje politike që iniciohet edhe përtej Atlantikut. Nga ana tjetër, gjithë arsenali pushtetar i qeveritarëve me kombësi greke është i dirigjuar me skenarin “grusht shteti” në OMONIA apo krijimi i “ΟΜΟΝΙΑ 2”, si leva e Arkimedit e kryeministrit aktual.

E pra, Spiro Ksera ka “shansin e artë” që t’i japë fund kësaj telenovele të neveritshme dhe shumë të rrezikshme për fatet e demokracisë në komunitetin grek. Nëse ai (S. Ksera), më 14 dhjetor anëtarësohet në PD, zgjidhet në organet drejtuese me atributet e deputetit dhe të ministrit, përfaqësimi politik në minoritetin etnik grek normalizohet, rifiton dinjitetin dhe vazhdon frymën e Perikliut të Madh, duke standardizuar pluralizmin demokratik (Sekretari i Përgjithshëm i PD, zoti Ridvan Bode, ka premtuar që në vitin 2005 se partia e tij do të krijojë struktura në minoritet. Të njëjtën gjë premtoi edhe zoti Berisha para disa muajsh). Një lob grekësh në PD, një tjetër lob në PS, si dhe ristrukturimi i qendrës si garanci në demokracinë e brishtë shqiptare, qoftë edhe nëpërmjet PBDNJ (pa ekskluzivitet), do të ishin formula më produktive dhe më efikase për përfaqësimin politik të minoritetit etnik grek në Shqipëri.

Megjithatë një gjë është e sigurt. Spiro Ksera, ministri omonist në qeverinë me frymë puniste, si me teserë, si pa teserë, do të ngelet beniamin i Sali Berishës. Si me teserë, si pa teserë, ai (zoti Ksera) do ta përdorë Partinë Demokratike si mjet dhe jo si qëllim. Por, prapëseprapë, këtu në Ballkanin e Ballkanit shansi ngelet shans...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›