Shansi i dytë
Pas 18 vjetësh, Shqipëria, për fat të keq, ende nuk ka garantuar disa nga elementët më të rëndësishëm të një sistemi të qëndrueshëm demokratik. I pari element prej të cilit burojnë të gjithë të tjerët, është procesi zgjedhor. Nuk është e bezdisshme ta përsërisim se asnjëherë nuk ka pasur proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm. Një proces i deformuar nuk mund të krijonte bazament për institucione të forta dhe të qëndrueshme që do të zgjidhnin disa nga problemet më emergjente të shoqërisë shqiptare. Në Shqipërinë e tranzicionit nuk ka ekzistuar as vullneti e as përgjegjësia e domosdoshme politike për të ecur me ritmin e shoqërisë.
Për shkak të traumave që ka pësuar vazhdimisht procesi politik, zgjedhjet e vitit të ardhshëm mbeten referenca më e rëndësishme e shoqërisë shqiptare. Kushti parësor për të përfunduar disa nga proceset madhore të nisura prej kohësh, si anëtarësimi i plotë në NATO, statusi i kandidatit për në BE, si dhe më tej zgjidhja e problematikave jetësore të infrastrukturës dhe energjisë, është krijimi i një atmosfere normale politike e cila fillon me zgjedhje të lira e të ndershme, të pranuara nga të gjitha palët.
Për nga rëndësia, ky moment (zgjedhjet e vitit 2009) mund të krahasohet me atë të fillimit të viteve ‘90-të kur shqiptarët, në një kontekst të ri politik europian, dolën nga sistemi totalitar komunist. Cilësia e vitit të ardhshëm do të duket në aplikimin e sistemit të ri elektoral, proporcional rajonal që ka adaptuar Shqipëria (mos e dhëntë zoti që ky sistem të deformohet gjatë miratimit të modaliteteve të zbatimit të tij në Kodin Zgjedhor); në përdorimin për herë të parë të regjistrit elektronik të votuesve dhe kartave moderne të identitetit; si dhe zbatimin e rregullit sipas të cilit lideri që humbet zgjedhjet i lëshon vendin dikujt tjetër në krye të partisë.
Zhvillimet e afërta politike pritet të përqendrohen në miratimin e Kodit Zgjedhor, në përshtatje me sistemin e ri elektoral të adaptuar në Kushtetutë, në miratimin e një ligji të përshtatshëm për prokurorinë si dhe përmbylljen e iniciativës së fundit për spiunët e ish-Sigurimit të Shtetit.
Në vijim do të kemi një luftë mes dy kryeministrave aktualë, kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha dhe kryeministrit të Tiranës, Edi Rama, luftë kjo, në fakt, mes modeleve të tyre të qeverisjes.
Këta do të jenë faktorët bazë të koalicioneve të mundshëm që do të përcaktojnë fituesit e zgjedhjeve të ardhshme. Do të kemi, gjithashtu, një lëvizje satelitore të partizave të vogla për të gjetur vend për kryetarët e tyre.
Jashtë politikës, por me ndikim të madh në të, si asnjëherë tjetër, pritet të luajë drejtësia shqiptare, më saktë prokuroria, që po heton vullkanin e Gërdecit, skandalin më të madh politiko-ekonomik, me pasoja tragjike, në epiqendër të të cilit është kupola e qeverisë shqiptare.
Lufta për zbardhjen, ose mbulimin e kësaj ngjarjeje, me përmasa të mëdha, është më së paku lufta për pushtetin, e më së shumti një luftë për vetë biografinë politike të individit Sali Berisha, i cili ka vërtetuar faktin se në Shqipëri politika është e aftë të delegjitimojë edhe të vërtetat më të hidhura (kujtoni vitin 1997).
Kjo mund të ndodhë vetëm në një ambient ku interesi dhe e vërteta shkojnë në drejtime të kundërta. Ne shqiptarët jemi para shansit të dytë për të dalë prej izolimit demokratik dhe për t’u barabartësuar me kombet e qytetëruara të botës moderne. Mëkat nëse ata do ta humbasim edhe këtë shans.