E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ndryshim për karrierë, apo karrierë për ndryshim?

SITUATA TEK TË MAJTËT

Ndonjë përfaqësues i ndonjë partie të vogël (në lindje e sipër), “shumë i impresionuar” nga fjalimi i Hillary Clinton disa ditë më parë në SHBA, ka nisur të bëjë një analizë të së majtës shqiptare, duke vënë në antitezë PS, si shkelëse e të drejtave të partive të vogla të majta, si një parti që bashkëpunon me “armikun”, duke u bërë kështu “një tradhtare” e interesave të elektoratit të majtë e të tjera akuza si këto.

Në fakt drejtuesi i kësaj partie të vogël, ka disa kohë që hedh në publik akuza të tilla, ndoshta në formë presioni deri sa të përfundojë puna për rregullimin e Kodit Zgjedhor, duke besuar se mund ti afrohet sadopak obsesionit të kahershëm kryeministror. Ky është një spektakël politik i ngjashëm me atë të KPD-së së famshme, por me një ndryshim të madh që qëndron në faktin se, elektorati i majtë tashmë nuk impresionohet, pasi kësaj politike i ka dalë kallaji. Më kujtohet sesi në ato kohë dita e punës fillonte me komente mbi këtë “spektakël”, çdonjëri servirte thashethemet dhe barsoletat e ditës; kryetari i opozitës në atë periudhë bënte sehir. “Punën” e tij po e bënte vetë e majta. E njëjta pamje u përsërit në zgjedhjet e 2005, por këtë radhë pati vetëm ndërrim portash, PD nuk u lodh shumë, se punën e saj sërish po e bënte vetë e majta.

Me këtë nuk dua të them se PS humbi në 2005 nga që hyri në zgjedhje e përçarë, por vetëm desha të nënvizoj absurdin që e karakterizoi atë fushatë; besoj do të jetë rasti i vetëm në historinë e politikës botërore që një parti politike sado e vogël qoftë, hyn në zgjedhje jo duke goditur kundërshtarin politik, por duke goditur partinë e krahut të saj. Zgjedhjet e reja po afrojnë dhe kjo parti për ironi ndodhet në të njëjtin pozicion, në një kontekst krejt të ri, duke akuzuar e sharë PS. Siç tashmë, elektorati i majtë e di, e gjithë kjo, për fat të keq, bëhet thjesht dhe vetëm për një obsesion karriere.

Pavarësisht pretendimeve që kjo parti ka, përveç sulmeve dhe sharjeve, që sa vijnë e shtohen, në gjithë këtë periudhë para elektorale, nuk kemi dëgjuar të thotë asnjë fjalë të vetme mbi programin e saj, nëse është duke hartuar një të tillë apo jo. Drejtuesi i saj, gjatë gjithë kohës na tregon nga ekrani llogari numrash, eskalime përqindjesh, emra deputetësh, miq që bëhen armiq, e armiq që bëhen miq. Me një fjalë mendon se hallin që ka ai, e kanë edhe qytetarët e Shqipërisë.

Në këtë periudhë debati, PS është treguar më e pjekur, dhe më e duruar, duke dërguar mesazhe miqësore të sinqerta. Por nga ana tjetër kanë ardhur sulme agresive, nga njerëz “nevrikë”. Me të drejtë, ata që vëzhguan nga afër konventën e Obamës në SHBA, sapo u rikthyen në kontaktet e përditshme me realitetin politik të këtushëm të mbushur me këta “trima televizivë” thanë atë shprehjen anektodike: “Po vijmë nga Barakët tek Halabakët”. Etiketim më të mirë për këtë politikë të vjetër nuk mund të gjendet.

Sipas arsyetimit tim edhe në rastin e ndryshimit të kodit zgjedhor (megjithëse ndonjë parti e vogël ankohet se këto ndryshime mbrojnë partitë e mëdha dhe jo konkurrencën), ata që do të fitojnë do të jenë qytetarët dhe stabiliteti politik në vend. Mendoj se pas 18 vjetësh tranzicioni të lodhshëm për të gjithë ne, ka ardhur momenti të ngrihet “steka”, pra të rritet pragu i garës jo vetëm në politikë, por në të gjitha fushat.

Sa herë që do të rritet pragu, aq herë do të dëgjojmë individë që do të qahen se është bërë padrejtësi, por secili duhet të kuptojë se nuk mund të jetojë më në kurriz të të tjerëve, thjesht dhe vetëm se mund të dijë të bëjë pazare. Karriera nuk është dhe nuk mund të jetë një qëllim në vetvete.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›