E Diel, 1 Nëntor 2026

"Shkëlzeni në Prokurori, nëse na duhet"

Kryeprokurorja Ina Rama nuk e ka përjashtuar thirrjen e djalit të kryeministrit, Shkëlzen Berisha për të dëshmuar për Gërdecin

Kryeprokurorja tha se drafti nuk duhet të miratohet. “Nëse dispozitat do të cënojnë Kushtetutën, do ta çojmë në Gjykatën Kushtetuese”

Ina Rama: Ligji i ri cënon pavarësinë e Prokurorisë

TIRANË- “Kushdo që ka përgjegjësi për tragjedinë e Gërdecit, nuk do t’i shpëtojë asaj”. Ky është premtimi i kryeprokurores Ina Rama, për t’i shkuar deri në fund kësaj çështjeje të konsideruar ndër më të rëndësishmet e hetuara ndonjëherë dhe sfidë për drejtësinë shqiptare. E pyetur në emisionin “Top Story” nëse do të thirret djali i kryeministrit për të dëshmuar, pasi emri i tij ka dalë në disa biseda të përgjuara, kryeprokurorja Rama ka pohuar se do të thirret kushdo që ka dijeni për ngjarjen. Gjatë intervistës, Ina Rama e ka cilësuar ligjin e ri për prokurorinë si cënues të pavarësisë së organit të akuzës dhe ka lënë të hapur mundësinë për ta dërguar atë në Gjykatën Kushtetuese.

Pyetje: Mund të thoni se si ndodhi që emri juaj përfundoi në listën e shkurtër të kandidaturave në tryezën e Presidentit të Republikës?

Nuk di t’ju them se siu ndodh në listën e shkurtër të kandidaturave. Ajo që di të them është që propozimi për emrin tim si një kandidaturë e mundshme për t’u emëruar në postin e Prokurorit të Republikës, buron nga një rreth juristësh që njohjen me mua e kanë pasur për shkak të kontakteve të punës. Që përgjithësisht më kanë njohur në raportet e punës, kanë njohur aftësitë e mia që ata kanë menduar që janë të tilla që mund të justifikojnë propozimin tim si kandidate për Kryeprokurore të Republikës.

Znj.Rama është folur fillimisht për njohjen tuaj me familjarët e pushtetarëve të sotëm. Së paku ju keni qenë në shkollë me vajzën e kryeministrit aktual z.Berisha, flas për Fakultetin Juridik. A ishte një faktor që ndikoi në zgjedhjen tuaj në këtë post?

Më duhet në fakt ta rijap këtë përgjigje. Është e vërtetë që unë kam studiuar në të njëjtin vit, në të njëjtat periudha akademike me vajzën e kryeministrit. Njohja jonë ka qenë njohja e studentëve që frekuentojnë të njëjtin brez shkollor në Fakultet, me gjithë respektin në distancë besoj. Por absolutisht nuk di asgjë që ky fakt ka ndikuar në përzgjedhjen time si kandidate apo edhe në votimin tim në këtë post nga Kuvendi i Shqipërisë.

Si e gjetët prokurorinë pas ikjes së Sollakut dhe si ju priti kolektivi i prokurorëve për faktin se ju ishit relativisht e panjohur për ta?

Pak a shumë edhe publiku mendoj që ka pasur një perceptim të drejtë për gjendjen në cilën ndodhej Prokuroria shqiptare në atë kohë. Duke qenë pjesë e shtetit shqiptar, e institucionevetë tjera shqiptare, edhe si një produkt i vetë shoqërisë shqiptare, por mbi të githa për faktin sepër më shumë se dy vjet ky organ drejtohej nga një drejtues i cili kishte një konflikt të hapur dhe të shpallur tashmë me mazhoranën, gjendja mund të merret me mend. Konflikti që thashë më sipër e kishte bërë këtë institucion të mbetej jashtë kontakteve normale me institucionet e tjera shtetërore, gjë që mendoj se ka ndikuar negativisht në funksionimin e mirë të institucionit. Në të vërtetë unë këtë situatë e kam konstatuar dhendjerë edhe në pozicionin si gjyqtare për shkak se unë gjykoja çështje krejtësisht penale dhe kjo mangësi e organizimit të punës, ky mos funksionim i mirë i prokurorisëndeshej që më përpara, fakt që e rikonstatova kurmora detyrën.

Përse e pranuat këtë detyrë dhe a merrnit me mend se sa e vështirë do ishte ajo, besoj që tash pas 10 muajve në këtë post e keni kuptuar këtë gjë, apo jo?

E pranova për dy arsye në princip. Së pari, si një sfidë për ambicjet e mia në karrierën profesionale dhe së dyti, por së pari për nga rëndësia, si një sfidë për t’u përballur me një nevojë shumë të madhe të kohës për aspirimin e një shteti ligjor në Shqipëri. Unë mendoj se shoqëria shqiptare ka tashmë maturinë e duhur për të aspiruar më të vertëte për një shtet të së drejtës, pjesë e së cilës është edhe institucioni i prokurorisë. Kam bërë pjesë në rrethin e atyre juristëve që kanë diskutuar gjatë për problemet e drejtësisë, janë revoltuar kur kanë konstatuar padrejtësitë dhe në momentin që m’u dha mundësia të jap ndihmesën time, kontributin tim në një nivel më të lartë se të qenit gjyqtare për të ndrequr diçka, mendova që pse jo, unë duhet të bëj pjesën time për sa kohë që aspiroj për një gjë më të mirë.

Ju bënit pjesë tek ata që ishin pjesë e sistemit dhe kërkonitndryshimin, korrigjimin e tij. Tashmë jeni në krye të këtij sistemi, çfarë ka ndryshuar në Prokurorinë e Përgjithshme, sipas jush, ajo që ne nuk e shohim?

Unë mendoj se në prokurori, në të gjithë sistemin e akuzës kanë ndryshuar shumë gjëra. Po përpiqem që aty të futet një frymë e re, në mënyrën se si konceptohet puna në sistemin e akuzës. Një frymë të re në të cilën jam munduar dhe kam tentuar të përcjell nëpërmjet drejtuesve të rinj që janë vendosur në krye të prokurorive të rretheve, madje në emër të kësaj është bërë edhe reformim në sistemin e akuzës. Kanë ndryshuar raportet e prokurorit të thjeshte me drejtuesit e tyre, raporte këto të normuara nëpërmjet një akti të firmosur nga unë në cilësinë e Prokurores së Përgjithshme. Raporte të cilat individualizojnë përgjegjësit dhe rritin pavarësinë e prokurorëve, gjë që mendoj se është thelbësore mendoj për mënyrën se si duhet të funksionojë sistemi. Sigurisht kjo fillon dhe prodhon efektet e saj në atë që është thelbi i ekzistencës së institucionit që është lufta kundër kriminalitetit dhe ushtrimit të ndjekjes penale. Për të bërë analizë më të gjërë të këtyre rezultateve ndoshta do të duheshim të futeshim në shifra dhe mendoj që ky nuk është momenti por unë them që ka shumë momente,shumë aspket të punës së prokurorisë që sot po spikasin. Ka një njësi që funksionon në prokurorinë e Tiranës dhe po dërgon në gjykatë çështje me funksionarë të lartë shtetërore, madje mund të them se të gjitha çështjet e dërguar në gjykatë janë konkluduar me vendime fajësi dhe pa asnjë ndryshim të kualifikimit ligjor. Në aspektin e kontrollit të punës së prokurorisë që bën gjykata, ky është një rol shumë i mirë, sepse kemi të bëjmë me procese përgjithësisht sensitive ku janë të involvuar persona me pushtet. Gjithashtu mund të prezantoj rezultate shumë të mira dhe shumë të lavdërueshme që ka pas Prokuroria për Krime të Rënda në goditjen e një sërë grupesh kriminale të involvuar në trafikun e drogës, e qenieve njerëzore si dhe në veprat penale.

Jeni zgjedhur me një dekret, dikush thotë në orët e vona të darkës, dikush thotë në orët e para të mëngjesit, gjithsesi me një konsensus të munguar. Megjithatë kjo nuk ju ka kufizuar forcën dhe influencën tuaj dhe në një farë mënyre nuk ju ka cenuar integritetin e punës tuaj, megjithatë do të kishit preferuar të ishit zgjedhur ndryshe Prokurore e Përgjithshme se sa ashtu si u zgjodhët?

Unë mendoj se ky është një proces që nuk ka lidhje me vullnetin tim, mënyra se si zgjidhesh prokuror i Përgjithshëm. Ajo që do ishte shumë e rëndësishme, është pavarësisht mënyrës së u bë emërimi im për të cilin mund të ketë dhe pati kontestime në momentin që ndodhi, e rëndësishme është mënyra se si unë po punoj po kryej këtë funksion dhe sinqerisht do të doja të fokusoheshim në këtë pjesë.

Si janë kontaktet tuaj, si Prokurore e Përgjithshme, apo më mirë të themi çfarë komunikimi keni me krerët e politikës në pushtet dhe ata në opozitë, sa personale dhe institucionale janë ato?

Nuk kam raporte personale me krerët e politikës në Shqipëri. Unë kam marrë këtë detyrë shumë të rëndësishme pa i pasur këto raporte dhe mendoj që këto raporte nuk mund të ndërtohen dhe është shumë e vështirë të ndërtohen në këto pozicione, unë Prokurore e Përgjithshme ata krerë të poltikës e krerë të institucioneve. Raportet e mia me krerët e institucioneve dhe ato të politikësmbeten institucionale dhe më vjen mirë që janë kështu.

A do të ketë fajtorë Gërdeci?

Do të ketë fajtorë, do të përfundojnë me një kërkesë gjykimi në gjykatë. Më pas do të jetë gjykata ajo që do të vendosë.

A ka gjasa të merret Fatmir Mediu në cilësinë e të pandehurit, së paku nga pyetjet e deritanishme?

Pyetjet e deritanishme, dje edhe sot. Nuk do të ketë përgjigje pa i analizuar ato, në harmoni me të dhënat e nxjerra nga hetimi.

Kritika ndaj zotit Sollaku ka qenë ajo që ai nuk arriti asnjëherë të çonte para drejtësisë njerëz të pushtetshëm apo të lidhur me pushtetin. A ka gjasa të ndani të njëjtin ngurrim me të?

Nuk e kam fare këtë ngurim. Besoj që të gjithë janë të barabartë para ligjit, shoqëria shqiptare është një moment ku pandëshkueshmëria duhet të marrë fund dhe të gjithë të mbajnë përgjegjësi për shkeljet që bëjnë.

Sa gjasa ka që hetimet për Gërdecin të mbarojnë para zgjedhjeve elektorale?

Unë nuk do të doja t’i kondicionoja hetimet për Gërdecin me zgjedhjet elektorale, por vetëm me afatet proceduriale që njeh ligji. Ne po zhvillojmë një hetim nga më të rëndësishmit dhe sensitivët që mund të ketë hetuar ndonjëherë prokuroria shqiptare dhe ajo që është e rëndësishme për ne, është që të zbardhim këtë të vërtetë.

Ju deklaruat se paralelisht vazhdoni hetimet për tregtinë e armëve drejt Afganistanit. Në ç’pikë ndodhen këto hetime?

Është e vërtetë që vazhdojmë hetimet paralelisht për aferën e armëve drejt afganistanit. Po bëjmë të gjitha hetimet për të përcaktuar cilësinë e municionit dhe nëse kemi humbje të shtetit në kontrata në para, çka do të thotë një korrupsion i mundshëm. Gjithsesi presim përgjigje për letër-porosinë që I kemi dërguar shtetit amerikan, pasi një pjesë të madhe të hetimeve që lidhen me këtë ngjarje kanë filluar edhe në SHBA.

A keni zbuluar deri tani pika të përbashkëta që lidhin deri tani hetimet për Gërdecin me ato të tregtisë së armëve drejt Afganistanit?

Janë dy ngjarje të ndryshme, por kanë personazhe të njëjtë. Mund t’u them që elementi I përbashkët, është njëri nga personat e arrestuar, Dritan Minxolli, drejtori teknik i Albademilit, I cili rezulton të jetë personi që ka bërë ripaketimin e fishekëve në Rinas, me largimin e Kosta Trebickës nga ky proces. Ne konstatojmë nga kjo që Dritan Minxolli është ai që ka bërë njëkohësisht demontimin në Gërdec dhe ripaketimin e fishekëve. Po verifikojmë nëse ky fakt prodhon elementë të veprës penale.

A është pyetur Mediu edhe për këtë çështje?

Hetimet janë të ndërthurura me njëra-tjetrën. Besoj se ministry është pyetur edhe për këtë çështje.

Në këto hetime besoj do të merren parasysh edhe përgjimet e Kosta Trebickës si dhe dëshmia e një funksionari të ambasadës amerikane, dhënë para një komisioni të senatit amerikan, ku ka dëshmuar edhe kundër ambasadorit në vendin tonë, ndërsa ju paradoksalisht gëzoni mbështetjen nga ambasada amerikane dhe Shtetet e Bashkuara. Nga vjen kjo mbështetje zonja Rama dhe a jenie prirurqë falë kësaj mbështetjeje të vlerësoni butë fakte që mund të dalin gjatë rrugës për përfshirjen e zyrtarëve amerikanë?

Mendoj që mbështetja që ambasada amerikane nëpërmjet edhe ambasadori i ka dhënë prokurorisë dhe mua personalisht lidhet me pozicionin e përbashkët që kemi për mënyrën sesi duhet të funksionojë sistemi i drejtësisë në Shqipëri edhe më gjerë si dhe me vizionin e përbashkët që lidhet me hetimin e kësaj çështjeje. Ne ndajmë të njëjtin qëndrim në lidhje me çështjen e Gërdecit që e vërteta e kësaj çështjeje duhet të zbardhet deri në fund. Kushdo qoftë personi që duhet të mbajë pergjegjësi, ai duhet ta mbajë atë nëse ka shkaktuar një tragjedi të tillë. Unë nuk mendoj se do të ketë vlerësime të buta apo të forta, por besoj se do të ketë vlerësime të drejta, të bazuara në ligj.

Duke iu referuar raporteve mediatike, rrjeti i trafikut të municioneve drejt Afganistanit mund të përfshijë edhe të afërm të zyrtarëve të lartë. Zonja kryeprokurore, a do të thirret, nëse do të lindë nevoja edhe djali i kryeministrit, emri i të cilit rezulton në këto biseda të përgjuara që ju tashmë i keni në dorë?

Nuk do të doja të individualizoja persona në këtë pyetje, por do të doja t’u thoja që gjithkush i cili do të rezultojë që ka dijeni për ngjarje që lidhen me hetimin e për të cilin do të lindë nevoja që të deklarojë para organit të akuzës, sigurisht që do të thirret për të dëshmuar.

Jam i detyruar t’u pyes a është thirrur për t’u pyetur në lidhje me këtë çështje edhe djali i kryeministrit?

Jo, nuk është thirrur.

Kemi folur ditët e fundit se hetimet po shtrihen edhe për disa persona të tjerë, të lidhur me botën e biznesit dhe të politikës, brenda dhe jashtë vendit. Sa bazë kanë këto supozime dhe a presim surpriza të tjera, gjatë këtij hetimi?

Që në momentin që media i hedh si supozime, unë nuk marr përsipër t’i konfirmoj. Surpriza hetimi ka gjithmonë.

Por ju nuk merrni përsipër as t’i mohoni, zonja Prokurore?

As këtë nuk mund ta bëj. Pasi hetimi është gjithmonë një surprizë, pasi askush nuk e di ku të çon ai, as prokurorët që merren me atë, përveçse individit që mund të ketë kryer veprën penale.

Zonja Rama, a ekzistojnë përgjime të tjera që nuk janë bërë publike për efekt hetimesh?

Në dijeni tonë, jo. Nuk kemi në dispozicion përgjime të kësaj natyre.

Në ç’pikë janë hetimet për një dosje tjetër hetimore, atë Durrës-Kukës. Edhe këtu kemi një ministër pa imunitet?

Ajo dosje është drejt fundit të saj, përsa i përket procesit të hetimit. Ne jemi në pritje të përgjigjes të aktit të ekspertimit kontabël.

Zonja Rama, gjithë këto çështje të rëndësishme sensitive, delicate në një vit elektoral me siguri kanë rritur presionin politik, direct apo indirekt ndaj institucionit tuaj?

Jo, nuk mund të themi me siguri që kanë rritur presionin. Për të qene korrekte, personalisht nuk kam ndjerë presion direct të asnjë aktori të politikës shqiptare dhe as nga prokurorët që merren me hetimin e këtyre çështjeve nuk më është relatuar një gjë e tillë. Ajo që ndjehet, është fokusimi i interesit të gjithë faktorëve politikë në këto çështje, gjë që nuk ndodh në çështjet e tjera. Kjo krijon njëlloj faktori, faktorin e të qënurit nën trysni për vlerësimin e çdo hapi që ti bën, duke bërë hetime.

A keni pasur tentative nga njerëz me pushtet, që kanë tentuar t’u pengojnë?

Jo, nuk kam pasur. Asnjëherë.

A ka ambicie politike Ina Rama?

Jo, nuk kam asnjë ambicie politike.

(Pyetja e një qytetareje që ka humbur të birin në tragjedinë e Gërdecit): A do të merret i pandehur ky ministër, pasi ne na ka vrarë vetë ministria që duhej të na mbronte. Djali im ka qenë duke luajtur, ka qenë në qejfin e vet dhe ne kemi qenë në shtëpinë tonë, në hallet tona. Nuk i kemi rënë në qafë askujt?

Dhashë një përgjigje për pyetjen, por po ndalem për shkak të dhimbjes që ka qytetarja. Angazhimi i prokurorisë është maksimal për të zbuluar të vërtetën dhe ripërsëris në emër të dhimbjes së kësaj nëne që askush që ka përgjegjësi nuk mund t’i shpëtojë asaj, në lidhje me këtë ngjarje.

A e mendoni Gërdecin si sfidë të drejtësisë shqiptare?

E mendoj si një sfidë, për shkak të dimensioneve që ka. Një sfidë jo vetëm për organin e akuzës por edhe për gjyqtarët që do ta gjykojnë atë. Në fund fare, është gjykata ajo që vendos dhe vendimet e saj nuk merr përsipër askush t’i vlerësojë.

Përse Ëithers u detyrua të bënte thirrje për mosndërhyrje politike në hetime, kur ju deklaroni se presione nuk ka pasur?

Thirrjet janë bërë në lidhje me ligjin për prokurorinë, por në fakt kjo është një pyetje që nuk mund të më bëhet mua.

Shumë debat, shumë akuza dhe shumë tension ndjemë, kur diplomatët amerikanë, më 31 korrik shprehën shqetësim për ligjin e ri të prokurorisë. Sa keni patur ju dijeni për këtë ligj?

Në momentin që u mbajt një qëndrim nga diplomati amerikan, unë kasha një njoftim për ca ndryshime që mund t’i bëheshin një drafti, por të marra në rrugë jo zyrtare. Në tavolinën time të punës nuk ka pasur asgjë të shkruar në lidhje me këto ndryshime për pezullimin e Prokurorit të Përgjithshëm, me ndryshime për Kodin e Procedurës Penale, edhe ato shumë të diskutueshme.

Të gjitha ndryshimet kur u shfaq diplomati amerikan. Për këtë shkak të mosmarrurit në rrugë institucionale mua nuk m’u duk e drejtë që në emër të organit të akuzës të dal dhe të mbaj qëndrime për këto ndryshime të mundshme.

Ju në fakt keni një bashkëpunim institucional shumë të mirë me Ministrinë e Drejtësisë do të thoja unë?

Kjo është e vërtetë. Ne kemi një bashkëpunim, në realizim të funksioneve tona kushtetuese. Për hir të mbrojtjes së interesave të institucionit, unë jam e gatshme të mbaj qëndrimin tim, që mendoj se është e nevojshme në lidhje me disa momente të ligjit dhe mënyra sesi është zhvilluar procedura për hartimin e tij.

Alibeaj ka thënë në “Top Story” se ky projektligj ka filluar në 6 mars 2008, në bazë të një urdhri të ministrit të Drejtësisë dhe Prokurores së Përgjithshme, zonja Ina Rama për ngritjen e një grupi pune me përfaqësues të prokurorisë, ministrisë së Drejtësisë dhe misionit EURALIUS. Madje ai tha që kanë qenë përfaqësuesit e prokurorisë ata që dorëzuan një draft?

Mund t’i konfirmoj ato që thotë ministri, deri në draftin e parë. Ka qenë një draft ku në pjesën më të madhe janë pasqyruar qëndrimet e përfaqësuesve të prokurorisë në lidhje me ndryshimet e ligjit, por nuk është drafti i parë, ai që ngjalli këto qëndrime dhe debat.

Ju thatë që kurrë se keni marrë në dorë draftin për ligjin e prokurorisë?

Unë kam pasur në tavolinën time ditën e martë të kësaj jave një draft të Ministrisë së Drejtësisë, në të cilin pasqyrohen ndryshime mbi draftin e parë, ku janë pasqyruar qëndrimet e organit të akuzës.Ky draft i ri ka ndryshime në disa pika, nga ai varianti që ishte përpunuar në grupin e përbashkët të punës, për të cilat ne ndajmë një qëndrim të ndryshëm nga ai që propozon Ministria e Drejtësisë.

Cilat janë pikat më të diskutueshme të draftit që ju keni në dorë për Prokurorinë?

Do doja të ndalesha në disa pika, duke lënë mundësinë që ekspertët ta zgjerojnë rrethin e kundërshtimeve që ata mund të kenë. Ajo që është për t’u diskutuar është një kompetencë që i shtohet Ministrisë së Drejtësisë, për të kontrolluar organin e akuzës. Në ligjin ekzistues, Ministria e Drejtësisë ushtron kontroll në disa drejtime me ligjin ekzistues, por në ndryshimet që propozohen për t’u bërë, ministri i Drejtësisë merr të drejtën të raportojë në Kuvend për rezultatet e kontrolleve që ai kryen në prokurori. Pas debateve të bëra në grupin e punës është thënë që edhe prokurori I përgjithshëm mund të dalë të raportojë në Kuvend mbi observacionet e tij kundër raportit të Ministrisë së Drejtësisë. Pyetjet që shtrohen në këtë rast është që çfarë do të bëjë Kuvendi, pasi të ndodhë kjo..

Ju mendoni që kjo që propozohet në projektligj mund të sjellë shkarkimin e kryeprokurorit?

Unë mendoj që kjo mund të shndërrohet të nesërmen në një forcë politike, sepse mendoj që ligji për prokurorinë duhet të shërbejë për një kohë të gjatë. Një maxhorancë që mendon të godasë prokurorinë, mund ta godasë atë edhe nëpërmjet një raporti që është thjesht politik.Logjika të bën të mendosh që Kuvendi, me maxhorancën e vet do të mbështesë ministrin e Drejtësisë, ndërsa oponenca e prokurorit do të ishte thjesht një ekspozim i pavlerë. Në një pikë tjetër dua të theksoj se prokurorët nuk kanë imunitet, në përkufizimin që Kushtetuta i jep imunitetit. Ndryshe nga ky imunitet, prokurorët mund të hetohen, të survejohen apo mund të dërgohen në gjyq, pa u pyetur asnjë institucion. E vetmja gjë që ligji ekzistues u ofron prokurorëve është një mbrojtje ndaj arrestit dhe institucioni që e vlerëson nëse ata duhet të arrestohen apo jo është vetëm Prokurori i Përgjithshëm. Një masë që është vënë për të mbrojtur prokurorin nga arbitrariteti i rrugës, i cili mund të ndodhet në një pozicion të caktuar për shkak të ushtrimit të funksionit. Unë mendoj që këto ndërhyrje në ligj cënojnë pavarësinë e organit të akuzës dhe kjo nuk vlen vetëm për çështjen e Gërdecit, por edhe për Gërdeca të tjerë që mund të ndodhin. Unë mendoj që këto janë dispozita që nuk duhet të kalojnë.

Si e shikoni ligjin e ri të Prokurorisë?

Si të nevojshëm, por që ka nevojë për korrigjime.

Nëse ky ligj kalon, pa marrë parasysh vërejtjet tuaja dhe të komunitetit të prokurorëve, cila do të jetë vendimi juaj?

Nëse një ligj miratohet me vullnet të Parlamentit, nuk ka më vendimarrje Prokurori i Përgjithshëm. E vetmja gjë që mund të ndërmerrej do të ishte goditja e ligjit për antikushtetutshmëri, nëse këto dispozita do të gjykoheshin nga ne si antikushtetuese. Në rast se nuk do të kishim antikushtetutshmëri të ligjit, ne do të zbatojmë ligjin.

Një prej mundësive është që do ta çoni çështjen në Gjykatë Kushtetuese?

Në rast se do të ketë dispozita të ligjit që do të bien në kundërshtim me Kushtetutën, sigurisht.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›