Edi, mos ik, bëj më mirë grevë urie në selinë ylberiste
Edi mos ik nga partia. Ti nuk ke asnjë arsye që të ikësh. Po ta kërkoi elektorati yt, atëhere merr një bruce e mbyllu brenda në seli ylberiste, për inat të atyre që duan të të largojnë. Përse s’duhet të ikësh ti, Edi? Ti s’duhet të ikësh se ty shokët të duan dhe të mbështesin fort. Shoku Gramoz për ty ngre në këmbë gjysmën e mëhallës në Salarinë veriore. Shoku Gramoz, ka besë burri dhe ti këtë e di mirë. Kur u fsheh njëherë aty nga mesi i viteve ‘90, sepse e kuronte shteti, dërgonte në Tiranë fakse gjithë zhurmë me nënshkrimin nga Salaria, vendi që nuk e dinte se ishte shpikur ende faksi. Por Gramozi është mik për kokë. Na turpëroi të gjithë ne tepelenasve sikur Tepelena ishte dhe mbeti pronë e tij, sikur Tepelena e Ali Pashës kishte lindur Stalinin. Ndonëse kemi ikur larg, kemi mall për vendlindjen, por ç’e do se na e shpifi ky Gramozi duke na kthyer në një fortesë të Stalingradit. Ne kurveleshasit more Edi, jemi vërtet njerëz të besës, jemi njerëz të leshtë dhe ta dish, nuk të tradhëtojmë kurrë. Besa jonë Edi është, sepse ti e meriton. Pse e meriton? Kur isha në Kurvelesh pashë nja dy foto të tuat, lakuriq. Ky është burrë që del lakuriq në mes të botës. I lumtë, se të veshur dalin të gjithë. Kjo e ngriti reputacionin tënd Edi. E ngriti reputacionin sepse trendistët kështu bëjnë. Edhe ne kemi dëgjuar për trendistët, që ashtu bënin andej nga katundet përtej mjegullave. Pas litarëve të hirtë të saj ishe ti Edi, nudo. Sa shkoje për revistat pleiboi. Ti ke qenë artist Edi, artist që nuk bëre dot art, por artist mbete ama... Si të gjithë, që një nga shumë dërrasat e kane mangut. Kjo shprehje të përputhet plotësisht Edi. Ti ke shumë kohë Edi që të duan kryetar, sepse pa ty ata janë prapa liste. Ata të duan shumë Edi, prandaj kanë një javë që dalin nëpër tv dhe kërcënojnë, kërcënojnë Edi sepse po u ike ti, shtylla kurrizore, atëherë çfarë u mbetet? Ti Edi thotë një gazetare, nuk duhet të ikësh, sepse more më shumë vota se në vitin 2005. Mirë thotë e varfra. Si puna e kombëtares tonë. Kur i duhet goli bën shtylla dhe lojë, humbëm thonë, por me nder. Në futboll Edi, ti e di mirë - se ke qenë sportist, le ta themi në basketboll - është rezultati jo loja, prandaj Edi, ti nuk duhet të ikësh. Kur u mbyllën të gjitha dritat e kinemasë, kishte mbetur një njeri i vetmuar. Po ai përse nuk ikën, pyetën njerëzit që jepnin filmin. “Nuk do të iki, thotë, se fajin ma ka Saliu”. Dhe mirë thotë.
...