E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shaqiri e Xhaka, lamtumirë me trofe

Eksperienca e Xherdan Shaqirit dhe Granit Xhakës në Basel është mbyllur me trofe. Dyshja kosovare, me kampionin e ri e ka fituar edhe Kupën e Zvicrës të mërkurën, pasi e mposhti në finale Luzernin e Hykës, Kukelit, Kryeziut e Shalajt. Futbollisti gjilanas ndihet i lumtur që nga Baseli do të largohet si fitues.

Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka i kanë dhënë fund eksperiencës në Basel në mënyrë të suksesshme. Futbollistët kosovarë të mërkurën mbrëma e fituan Kupën e Zvicrës, duke e konfirmuar dominimin në futbollin zviceran.

Baseli, i cili javë më parë e kishte fituar titullin e kampionit, të tretin rresht, në finale të kupës fitoi në duel me Luzernin, ku aktivizohen katër futbollistët tjerë shqiptarë, Jahmir Hyka, Burim Kukeli, Hekuran Kryeziu dhe Gëzim Shalaj.

Loja e rregullt dhe ajo shtesë kanë përfunduar baras, 1:1, prandaj fituesin e këtij trofeu prestigjioz duhej ta përcaktonin penalltitë.

Dhe, më të suksesshëm nga pika e bardhë ishin futbollistët e Baselit, të cilët e fituan kështu kupën për herë të dytë në tri vjetët e fundit. Baseli fitoi 4:2 me penallti, ndërsa njërën prej tyre e shndërroi në gol pikërisht Shaqiri.

Futbollisti gjilanas ditë më parë thoshte se dëshiron ta përfundojë eksperiencën në Basel me sukses dhe ai ia doli. 20 vjeçari, i cili gjatë verës do të transferohet në Bayern Munich, ndihet i lumtur për këtë fitore.

“Ishte një lojë e bukur me shumë raste. Luzerni u mbrojt mjaft mirë, kështu që nuk ishte e lehtë për ne”, theksoi fillimisht përfaqësuesi zviceran.

“Kur shkuam në penallti, kisha ndjenja të mira, sepse e dija se ne e kemi një portier të shkëlqyeshëm, i cili natyrisht se do ta priste së paku një penallti”, u shpreh i gëzuar futbollisti kosovar, i cili e fitoi trofeun e pestë me Baselin.

Derisa tashmë është e qartë se Shaqiri nga korriku do të bëhet bavarez, rrugën e tij për në Bundesligë pritet ta ndjekë edhe Xhaka, i cili, sipas të gjitha gjasave, nga sezoni i ardhshëm do të jetë pjesë e Borussia Monchengladbachut.

Zvicra fton katër shqiptarë

Selektori i Zvicrës, Ottmar Hitzfeld, e ka publikuar të enjten listën e futbollistëve të ftuar për dy ndeshjet miqësore ndaj Gjermanisë (më 26 maj në Basel) dhe ndaj Rumanisë (30 maj në Luzern).

Në mesin e të ftuarve vërehen edhe emrat e katër futbollistëve shqiptarë, prej të cilëve Blerim Xhemajli (Napoli), Admir Mehmedi (Dinamo Kiev), Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka (Basel). Jashtë listës ka mbetur Valon Behrami.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›