Shaqiri kushton 10 milionë euro

Baseli është i vetëdijshëm se mund ta mbajë Xherdan Shaqiri maksimum deri në fund të këtij sezoni. Prandaj, kampioni zviceran e ka vendosur qysh tash vlerën e talentit kosovar. Sipas ueb faqes gjermane 4-4-2.com, 19 vjeçari kushton 10 milionë euro.
Përfaqësuesi zviceran ka kontratë me Baselin deri në qershor të vitit 2014.
Futbollisti nga Gjilani nuk mundi ta ndihmonte ekipin zviceran të martën mbrëma në barazimin historik 3:3 në Old Trafford ndaj Manchester Unitedit, për shkak të suspendimit. Mirëpo, ai është pjesë e rregullt e Baselit në dy sezonet e fundit, ku e fitoi dy herë titullin e kampionit të Zvicrës.
Shaqiri ndiqet me kujdes nga shumë skuadra evropiane. Në Itali atë e pëlqejnë Juventusi, Napoli, Roma e Lazio. Në Angli, syrin ia kanë vënë Manchester United, Liverpool e Arsenal, kurse në Gjermani e vëzhgojnë me kujdes Bayern Munich, Hamburg e Borussia Dortmund. Përpos në Basel, futbollisti i krahut të djathtë është bërë pjesë e rëndësishme edhe te përfaqësuesja helvetike, të cilën po e udhëheq drejt kualifikimit në Euro 2012.