E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria në alarm para ndeshjes me Francën

Shqipëria do të luajë kundër Francës më 7 tetor ndeshjen e parafundit të këtyre eliminatoreve, por situata në të cilën ndodhen kuqezinjtë është vërtet alarmante. Kjo për faktin e thjeshtë se skuadra jonë do të udhëtojë drejt Parisit me 8 mungesa të rëndësishme në grup, çka do ta detyrojë trajnerin Josip Kuzhe që të promovojë i detyruar disa të rinj, por do të rikthehet edhe te skema me një sulmues të mirëfilltë në sulm, pasi është i detyruar nga shumë rrethana. Teli, Lala, Agolli, Bogdani janë të pezulluar për shkak të numrit të kartonëve. Mungesa të rëndësishme që do t’i imponojnë Kuzhes ndryshime të rëndësishëm në të gjitha repartet. Një tjetër mungesë e konfirmuar është edhe fantazisti Ervin Skela, i pezulluar me pesë ndeshje dhe më pas i tërhequr përfundimisht nga Kombëtarja. Kësisoj, ai nuk mund të llogaritet as si një alternativë në stolin rezervë. Por, sikur të mos mjaftonte kjo, dje është marrë vesh në FSHF se Ervin Bulku rrezikon të mos jetë i gatshëm për ndeshjen kundër Francës. Ai ka pësuar një tërheqje në kofshë javën që shkoi dhe rrezikon të mos luajë në këtë takim të rëndësishëm për skuadrën tonë. Lajmi i mirë për Kuzhen janë rikthimi i Dallkut, Lilës dhe Canës, të cilët do të mund të jenë në dispozicion të skuadrës pas pezullimeve për shkak të kartonëve, çka i detyroi të mungonin kundër Luksemburgut. Lorik Cana pritet të jetë kapiten në ndeshjen kundër “gjelave” dhe të ketë barrën më të madhe për të udhëhequr ekipin në një ndeshje ku do të mungojnë dy-tre “senatorë” si Lala, Skela dhe Bogdani. Me shumë gjasë Kuzhe do të detyrohet të projektojë një formacion të kujdesshëm, çka do të thotë me një klasike 4-5-1. Jo vetëm sepse mungon Erjon Bogdani, por sepse boshllëqet në mesfushë janë realisht të mëdha. Interesant është fakti se vetëm Ujkan, Cana, Vangjeli dhe Salihi e kanë të sigurt se do të luajnë në rolet e tyre natyrale, për të tjerët pritet të ketë zhvendosje të mëdha. Dallku me shumë gjasë mund të spostohet në qendër përkrah Canës,  dhe në të djathtë pritet të luajë Andi Lila. Mesfushorë para mbrojtjes mund të jenë G. Lika me Duron, ndërsa nga krahët mund të luajnë Bakaj me Muzakën. Një përforcim në mesfushë mund të jetë postimi i Bakajt më në qendër dhe aktivizimi në të majtë i Hykës, duke e lënë Salihin të vetëm në sulm.

Problemet kushtëzojnë  e Kuzhene
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe, është në një moment të vështirë sa i përket raportit me FSHF-në. Momentalisht flitet se ai ka pak shanse që të rinovojë dhe vetëm një mrekulli kundër Francës më 7 tetor, ose Rumanisë më 11 tetor në Tiranë, mund të rrisë kuotat e tij për të rinovuar. Rrjedhimisht, negociatat me federatën varen edhe nga dëmtimet dhe mungesat e shumta. Kuzhe nuk e ka luksin që të tentojë të bëjë surprizën dhe e di se shanset që të dalë i pamposhtur në sfidën kundër “gjelave” janë fare të pakta.

Formacioni
Skema:

4-5-1

Në portë:
Ujkani

Në mbrojtje:
Lila, Dallku, Cana, Vangjeli

Në mesfushë:
K.Duro, G.Lika, Muzaka, Bakaj, Hyka

Në sulm: Salihi

Gomis, prurja e re e Blank
Bafatemi Gomis mund të grumbullohet sërish në Kombëtaren franceze nga trajneri Lorent Blank, për ndeshjen ndaj Shqipërisë më 7 tetor. Lojtari i Lionit po kalon një moment shumë të mirë, çka e tregoi qartazi edhe në ndeshjen e Kupës së Kampioneve ditën e martë ndaj Dinamos së Zagrebit, ku shënoi edhe një gol mjaft të bukur. Kësisoj, Blank do të jetë i detyruar në një farë mënyre që ta grumbullojë për dy ndeshjet e fundit kualifikuese të muajit tetor. Lista do zyrtarizohet sot nga trajneri i “gjelave”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›