Shaqiri mirëpret Galatasarayn

Xherdan Shaqiri ka gjasa të mëdha që karrierën ta vazhdojë në Turqi, respektivisht te Galatasaray. Klubi turk e ka marrë seriozisht transferimin e mesfushorit kosovar në Stamboll qysh gjatë afatit kalimtar të janarit.
Mirëpo, edhe reprezentuesi zviceran ka mirëpritur interesimin e Galatasarayt, i cili thuhet se i ka ofruar pagë vjetore hiq më pak se 4 milionë franga për një sezon.
“Galatasarayn e kam admiruar gjithmonë, është një klub i madh me një trajner të madh si Fatih Terim. Nëse është bërë një ofertë e tillë, sigurisht se duhet ta shqyrtoj, edhe pse nuk kam menduar asnjëherë të luaj në Turqi. Por, unë nuk mund të përjashtoj asgjë”, ka thënë Shaqiri për magazinën Blick.
Sipas kësaj magazine, gjiganti turk i ka ofruar kampionit të Zvicrës 10 milionë franga dëmshpërblim për t’i siguruar shërbimet e mesfushorit kosovar.
Në anën tjetër, drejtori i Baselit, Bernhard Heusler, ka konfirmuar se ka marrë ofertë zyrtare për lojtarin kosovar, por klubi zviceran nuk është i gatshëm të heqë dorë nga xhevahiri i tij.
“E kemi marrë ofertën nga Stambolli. E kemi marrë në konsideratë, por sot për sot kjo nuk është bazë e fortë për t’i filluar negociatat. Për momentin nuk jam i gatshëm ta shes një lojtar si Shaqiri”, deklaroi Heusler për Blick.
Gjatë kësaj jave edhe trajneri i klubit turk, Fatih Terim, e kishte shprehur haptazi simpatinë që ndien për përfaqësuesin zviceran. “Është e qartë se e duam Shaqirin. Ishim të interesuar për të që nga korriku, por këtë herë jemi më seriozë. Për momentin jemi duke negociuar me të”, tha ish selektori i Turqisë.
Ndërsa edhe presidenti i klubit nga Stambolli, Unal Aysal, e ka konfirmuar se është i nxehtë më shumë se kurrë që ta bëjë të vetin mesfushorin kosovar qysh në janar.
“Unë personalisht nuk e kam takuar, por i kam udhëzuar përfaqësuesit e klubit që të intervenojnë. Aktualisht jemi të angazhuar në bisedime me Shaqirin”, ka thënë Aysal.
Me paraqitjet e shkëlqyeshme në kampionatin zviceran dhe përfaqësuesen helvetike, Shaqiri është bërë objektiv i shumë klubeve të mëdha evropiane.
Për 20 vjeçarin interesim kanë shfaqur edhe klubet tjera të njohura evropiane si Manchester United, Liverpool, Barcelona, Bayern Munich, Hamburg, Borussia Monchengladbach, Lille, Porto e Dinamo Kiev.