E Shtunë, 31 Tetor 2026

Etiopi pezullohen 35 atlete

Federata e Atletikës në Etiopi ka pezulluar 35 sportistë, mes të cilëve edhe kampionët olimpik Bekele për meshkuj dhe Dibaba për femra. Vendimi është marrë sepse sportistët nuk u paraqitën në një grumbullim stërvitor të organizuar nga federata, pas rezultateve të dobta të atletëve në vitet e fundit
Etiopia ka pezulluar pa afat 35 atletë, mes të cilëve kampionin olimpik në 5 mijë dhe 10 mijë metra për meshkuj, Kenenisa Bekele. Vendimi teknik është marrë nga Federata e Atletikës, për shkak të përplasjeve përsa i takon stërvitjes.
Të zemëruar me rezultatet e dobta të viteve të fundit, drejtuesit e federatës urdhëruan që rreth 200 atletë të paraqiteshin në një grumbullim stërvitor, kur kanë mbetur dy muaj nga Kampionati Botëror I sallave të mbyllura në mars, ku sportistët do të përgatiteshin edhe për Lojërat Olimpike, “Londër 2012”.
Por, Bekele dhe disa atletë të tjerë, duke përfshirë këtu edhe fituesen e medaljes së artë olimpike në 5 mijë dhe 10 mijë metra për femra, Tirunesh Dibaba nuk u paraqitën.
Sipas drejtorit teknik, Dube Zhilo, 35 atletët nuk do të lejohen të marrin pjesë në asnjë aktivitet për shkak të pezullimit pa afat, ndërsa çështja e tyre do të merret sërish në shqyrtim, sapo të paraqiten për t’u stërvitur.
Në anën tjetër, Bekele, i cili ende nuk ka vendosur nëse do të garojë në “Londër 2012”, e ka justifikuar mungesën e tij me një dëmtim. Ai tha se “dëmtimi është mjaft serioz”, e do të nevojiten disa javë përpara se ti kthehet stërvitjes së zakonshme dhe 2 apo 3 muaj përpara se të garojë në aktivitete.
Për shkak të problemeve fizike, prej vitit 2009, 29-vjeçari e ka pasur mjaft të vështirë të garojë. Në botërorin e zhvilluar vjet në Daegu, në Korenë e Veriut, ai u tërhoq nga gara e 10 mijë metrave pas vetëm 10 xhirove. Megjithatë, në “Diamond League” në Bruksel, në fund të sezonit, ai regjistroi kohën më të mirë të vitit në 10 mijë metra.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›