E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përsëri ai

Mentor Zhdrella ka shkruar historinë. Ai është shpallur futbollisti më i mirë i vitit 2011, për herë të tretë rresht. Mesfushori i Hysit ka lënë prapa treshen prishtinase, Azem Ahmeti, Mentor Mazrekaj e Ilir Berishën. Klubi më i mirë u zgjodh Hysi, kurse trajneri më i mirë, Ramiz Krasniqi. Epiteti i gjyqtarit më të mirë i takoi Kreshnik Vulës.

Mentor Zhdrella është zgjedhur futbollisti më i mirë i vitit 2011, ashtu siç kishte paralajmëruar edhe gazeta Express para një jave, në ceremoninë e shpalljes së laureatëve të vitit që e ka organizuar të premten Federata e Futbollit e Kosovës (FFK).

Kapiteni i Hysit ka grumbulluar 104 pikë, në votimin e bërë nga ana e trajnerëve të Superligës. Kjo ishte hera e tretë rresht që mesfushori i shquar e merr këtë çmim nga shtëpia e futbollit kosovar. Një gjë të tillë nuk e kishte bërë asnjë futbollist më parë.

“Normalisht që jam shumë i lumtur. Pra, kjo nuk është hera e parë që zgjidhem më i mirë, por sigurisht se nuk do të jetë as hera e fundit. Ndihem mjaft mirë. Mendoj se e kam merituar, falë edhe ndihmës së bashkëlojtarëve”, tha Zhdrella pasi e mori çmimin e më të mirit të vitit. Ai pohoi se dëshiron ta sprovojë vetën edhe në ndonjë ligë më të fortë të huaj, nëse ndonjë klub i bënë ofertë serioze.

Zhdrella ndiqej nga tre futbollistë të Prishtinës, Azem Ahmeti, Mentor Mazrekaj e Ilir Berisha. Ndërsa, në dhjetëshen e parë janë futur edhe Artan Latifi (Drita), Enis Zabërxha (Hysi), Florim Bërbatovci (Hysi), Atdhe Gashi (Vëllaznimi), Shpëtim Idrizi (Trepça ’89) e Venhar Sermaxhaj (Drita).

FFK-ja ka ndarë edhe çmime të tjera. Klubi më i mirë është zgjedhur Hysi, i cili në vitin që shkoi ishte kampion i Kosovës dhe e kishte fituar Superkupën. Ndërsa trajneri më i mirë u zgjodh tashmë ish-trajneri i Prishtinës, Ramiz Krasniqi.

Gjyqtari më i dalluar, për vitin 2011 u zgjodh Kreshnik Vula, derisa epiteti i punëtorit sportiv i ka takuar Afërdita Fazliut. Epiteti i klubit më fair-play shkoi në Prizren te Liria. Kurse, golashënuesi më i mirë ishte Taulant Dajaku, që shënoi 18 gola brenda vitit, derisa portieri më i mirë u shpall Artan Latifi i Dritës.

Klubi më i suksesshëm në Futsall ishte Besa nga Peja, kurse lojtari më i dalluar i Futsallit, Nexhip Selimi. Epitetin e golashënuesit e fitoi Fadil Goli.

FFK-ja zgjodhi më të mirët edhe në konkurrencën e femrave. Kështu, klubi më i mirë ishte Kosova nga Prishtina, kurse futbollistja më e mirë u shpall Suada Jashari, nga po ky klub, dhe futbollistja më e mirë e re, Arta Rama.

FFK-ja nuk harroi kontributin e vazhdueshëm gjatë vitit 2011 të njerëzve nga diaspora, e po ashtu të mbështetësve të aktiviteteve të saj, të cilët i nderoi me mirënjohje.

Me mirënjohje u nderua edhe ish-dy kryetarët e FFK-së, Agim Bytyçi e Sabri Hashani. Për vepër jetësore, me mirënjohje u nderua Shenasi Berisha derisa çmimi ‘Post Mortum’ u nda për të ndjerin Kemajl Broja. FFK-ja me mirënjohje nderoi edhe gazetarin veteran të sportit, Gani Ajetin.

Ceremoninë e hapi me një fjalim kreu i FFK-së, Fadil Vokrri, i cili ka përmendur disa të arritura të vitit, por edhe ngecje të vitit 2011 nga ana e institucionit që ai drejton. Ai theksoi se mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga më shumë shtete, po e ngadalëson procesin e anëtarësimit të futbollit kosovar në FIFA e UEFA. Vokrri pohoi se gjatë vitit 2012 synon ta zgjerojë administratën e FFK-së, me qëllim që të profesionalizohet edhe më tepër futbolli kosovar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›