E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sharje me porosi kundër Shpëtim Gjikës në faqen StopRrënimit.com

24-08-2013 / Gazeta 55

““Rrënimi Gjika” nuk do t’ia dijë fare për ne që e votuam – haram votën që i kemi dhënë”

Një javë pasi Edi Rama prezantoi iniciativën e tij StopRrënimit.com, mbi 350 foto dhe 10 video janë dërguar në faqen online të krijuar nga socialistët, ku qytetarët ftohen të denoncojnë me raste konkrete të abuzimit me territorin. Pjesa më e madhe e denoncimeve kanë të bëjnë me godina të ngritura në mënyrë të paligjshme, por nuk mungojnë rastet kur në vend të mungesës së lejes, denoncohet mungesa e kushteve higjienike. Ndërkohë, ajo që vërehet është se, një pjesë e mirë e komenteve denoncues në faqen StopRrënimit.com, janë si me porosi pasi atakojnë direkt vetëm një drejtues vendor, kryetarin e Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika. Sipas “shqetësimeve” të ngritura nga qytetarët vlonjatë, zona e Ujit të Ftohtë duket më e prekura nga ndërtimet pa leje, ku fajësohet direkt dhe pa kompromis, kryebashkiaku Gjika. Gjithashtu, në rrugën “Hasan Kushta” ku sheshi mes dy pallateve është mbyllur me postbllok dhe është kthyer në parkim makinash, është një tjetër denoncim i bërë nga qytetarët. Këtu fillon dhe agresiviteti i denoncuesve të cilët nuk kursejnë as sharjet ndaj Shpëtim Gjikës për shkatërrimin e vijës bregdetare përgjatë Vlorës. “Rrënimi Gjika” nuk do t’ia di fare për ne që e votuam”, shkruan denoncuesi, ndërsa ia bën haram votën. Një tjetër denoncim i postuar me foto, tregon se çfarë ka mbetur nga lulishtja përballë teatrit “Petro Marko” në Vlorë. Dy pallate kanë zënë vendin e plepave 70-vjeçarë. Ndërsa në oborrin e shkollës publike “Ali Demi”, një lokal druri ka dy muaj që po betonohet. “Po kryebashkiaku pse e lejon?”- pyet qytetari që ka bërë denoncimin. Përgjigjen tenton ta japë po vetë ai: “Ndoshta kërkon që partia ta largojë sa më shpejt, që të jetojë në ndonjë pikë të globit”. Pra, denoncimet në vijimësi tregojnë qartë politikën e ndjekur nga Edi Rama lidhur me luftën tashmë të hapur kundër drejtuesve vendorë socialistë. Qëllimi është nxjerrja e tyre jashtë radhëve të PS. Të gjitha aksionet janë në vijim të shkëputjes që partia e Edi Ramës po tenton të inkursojë ndaj të gjithë të ashtuquajturve bajraktarë të bregdetit. Tjetër gjë fshihet. Rama nuk shqetësohet për shkatërrimin që i është bërë Vlorës apo dhe Durrësit. Ai po kërkon të shtijë në dorë bregdetin dhe për realizimin e kësaj i ka shpallur luftë drejtuesve vendorë atje me qëllim denigrimin e imazhit të tyre dhe bërjen përgjegjës për politikat e gabuara që kanë çuar në betonizimin e bregdetit, pavarësisht se në krye të mafies së ndërtimit ka qenë dhe është vetë Edi Rama!

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›