E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shaska pushon nga detyra dy zv/rektorët

Lajmërohen me e-mail. Shkarkohen dy zv/rektorët e Universitetit "Ismail Qemali"


Një e-mail i mbërritur në adresat e pedagogëve, u ka bërë të njohur këtyre të fundit shkarkimin e dy zv/rektorëve të universitetit "Ismail Qemali", Pranvera Resuli dhe Ëngjëll Liçaj.


Lajmi konfirmohet nga pedagogë të këtij universiteti, të cilët kanë qenë të rezervuar jo vetëm në dhënien e detajeve, por kanë hezituar të bëjnë të njohur edhe tekstin e e-mail-it. Gjithsesi, motivacioni i largimit nga detyra mësohet të jetë "për t'u dhënë një shtysë tjetër zhvillimeve pozitive punëve në universitet".


Pasi dy zv/rektorëve u ishte dhënë falënderimi për punën e deritanishme, është komunikuar se ata nuk do të jenë më në këtë post drejtues për të kaluar në një tjetër detyrë.


Komunikimi elektronik mësohet të jetë bërë nga vetë rektori Shaska. Nëpërmjet kontaktit telefonik, zv/rektorja e shkarkuar, Resuli, nuk ka pranuar të japë shpjegime mbi këtë vendimmarrje, duke pohuar se është kompetencë e Shaskaj.


Ndërkohë, zv/rektori Ëngjëll Liçaj ka pohuar largimin nga detyra dhe deri tani, njoftimi, sipas tij i është komunikuar me gojë. Ajo që mësohet ende jo zyrtarisht, është se të dy zv/rektorët e larguar nga puna, janë emëruar në poste të tjera në Universitetin e Vlorës.


Znj. Pranvera Resuli është komanduar shefe e departamentit të Turizmit, ndërsa z. Ëngjëll Liçaj, dekan i Shkencave Sociale. Po burime jozyrtare, informojnë se zv/rektorë të komanduar të Universitetit të Vlorës janë zgjedhur Eustrat Zhupa dhe Dorjan Tozaj.


 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›