E Diel, 1 Nëntor 2026

Përmbytet varka, 4 pushuesit i shpëton policia bregdetare

DURRËS- Katër persona të moshës nga 9-24 vjeç kanë shpëtuar falë ndërhyrjes së policisë kufitare, kur varka e tyre u përmbyt 300 metra larg bregut të detit.

Drejtori i policisë rajonale të kufirit dhe migracionit, Naim Manuka, tha se katër pushuesit nga qyteti i Gramshit, kishin dalë për të shëtitur me barkë-pedalo në plazhin e Golemit. Elvis Hida, 9 vjeç, Ervis Balla, 24 vjeç, Adrian Visha, 21 vjeç dhe Eli Berja, 10 vjeç, janë gjetur në ujë nga mjeti lundrues gomone D-62 i policisë kufitare bregdetare pasi barka e tyre ishte përmbysur.

Sipas drejtorit të policisë rajonale të kufirit dhe migracionit, gjithçka ka nisur dje rreth orës 12.45 pas një telefonate në stacionin e policisë kufitare se në plazhin e Golemit kur një barkë me pushues ndodhej në vështirësi. Fatmirësisht të katër pushuesit janë gjetur brenda pak minutash rreth 300 metra larg bregut dhe gjendja e tyre shëndetësore ishte e mirë.

Manuka tha se shpesh herë pushuesit largohen shumë nga bregu dhe i mbushin varkat e vogla pedalo jashtë kapacitetit deri në 10-12 vetë, çka rrezikon seriozisht jetën e tyre. Ai shtoi se bregdeti i Durrësit, nga ura e Dajlanit deri në Malin e Robit, për afro 10 km kontrollohet vazhdimisht nga mjetet lundruese të policisë kufitare në shërbim të sigurisë së pushuesve.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›