Shefat e shërbimeve: Të urdhërohen edhe farmacitë
Urdhri i Ministrisë së Shëndetësisë për ciklimin e recetave të medikamenteve nga shefat e shërbimeve ka ditë që ka mbërritur në Fier, por sipas mjekëve një urdhër paralel duhej lëshuar në drejtim të farmacive. Shefi i repartit të kardiologjisë në grupin spitalor të Fierit, Novruz çaushaj, është shprehur për “Shqip” se “ky urdhër duhej shoqëruar me një urdhër paralel për farmacitë, i cili t’u komunikonte atyre moslëvrimin e asnjë recete pa firmën e shefit të shërbimit”. Mendimi i shefit çaushaj mbështetet nga pothuajse të gjithë shefat e shërbimeve në Fier, si edhe nga mjekët. Bluzat e bardha shprehen se ky urdhër do të parandalojë abuzimin me origjinën e ndonjë komplikacioni nga ilaçet e dhëna dosido. Por, për drejtoreshën e grupit spitalor Fier, Donika Alushani, urdhri i ministrit nuk ka nisur ende të zbatohet. Ajo pohon se nga raportimet e të gjithë mjekëve të spitalit është informuar se nuk kanë lëshuar asnjë recetë, pasi shumica e antibiotikëve ndodhen në farmacinë e spitalit. Po ashtu, gjendja e të sëmurëve të shtruar është e atillë që nuk kërkon recetë jashtë mjekimit në kartelë. Ajo ka thënë se për barnat që nuk ndodhen në farmacinë e spitalit do të aplikohet një recetë e tillë si e kërkon edhe ministri.
#