MTKRS shpall veprimtaritë kushtuar Gonxhes shqiptare
Në kuadër të 100-vjetorit të lindjes së humanistes së madhe, shqiptares Nënë Tereza, viti 2010 është shpallur viti i saj. Për këtë arsye, Ministria e Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve, në bashkëpunim me institucionet kryesore kombëtare si Teatri i Operës, Teatri Kombëtar, Galeria e Arteve, Biblioteka Kombëtare, por edhe të tjera institucione, është hartuar një plan i gjerë aktivitetesh që do të vazhdojnë deri në fund të këtij viti. Për këtë arsye, në konferencën kushtuar këtyre veprimtarive morën pjesë të gjithë drejtuesit përkatës, duke filluar nga ministri Xhaferaj, zëvendësministri Nikoll Lesi, te Zhani Ciko, Kristaq Skrami, Luan Malltezi e Muj Buçpapaj. Sipas ministrit Ferdinand Xhaferaj, të gjitha aktivitetet që do të organizohen kanë si synim nderimin dhe respektin për këtë ikonë unikale të humanizmit dhe paqes botërore. “Ato synojnë gjithashtu të bëjnë sa më të njohur origjinën e saj shqiptare dhe dashurinë e veçantë që ushqente Nënë Tereza për Shqipërinë dhe shqiptarët”, është shprehur ai. I pari aktivitet ka nisur mbrëmë me një homazh nëpërmjet koncertit Stabat Manter që u organizua në sallën e Akademisë së Arteve nga kori “Nënë Tereza” dhe orkestra e harqeve. Pas tij do të vijohet me ekspozitën e 12 shenjtorëve, organizuar në ambientet e Bibliotekës Kombëtare, në të cilën do të ekspozohen vepra dhe vlera të rralla për Nënë Terezën dhe për të gjithë ato personalitete të shquara shqiptare të shpallur shenjtorë nga Selia e Shenjtë. Në muajin qershor është parashikuar të organizohet një konferencë shkencore për figurën e Nënë Terezës, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave dhe Qendrën e Studimeve Albanologjike dhe Antropologjike, shoqëruar me një ekspozitë me temë “Nënë Tereza në shtypin e kohës”. Gjithashtu, në muajin qershor do të shfaqen filma dokumentarë në Kinema Imperial kushtuar Nënë Terezës, ndërsa në ambientet e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit do të mbahet një mbrëmje muzikore, letrare me prozë dhe poezi për Nënë Terezën me aktorë të Teatrit Kombëtar. Në Galerinë Kombëtare të Arteve do të çelet ekspozita e piktorit nga diaspora Gjelosh Gjoka. Gjithashtu do të hapet edhe një panair libri, ku do të ekspozohen të gjithë librat kushtuar Nënë Terezës. Një tjetër ekspozitë do të çelet edhe në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar. Po në muajin gusht do të botohet dhe promovohet një album me foto dhe përmbajtje të lutjeve të Nënë Terezës, nga fotografi Roland Tasho. Gjithashtu do të jepet edhe çmimi për krijimtarinë më të mirë muzikore për veprën kushtuar Nënë Terezës, si dhe eseja më e mirë e krijuesve të rinj të mbarë shkollave. Në muajin shtator është menduar të realizohet një tjetër botim, kësaj here me autorët botërorë që kanë folur për Gonxhen shqiptare. Do të organizohet edhe maratona e paqes, kupa “Nënë Tereza”, e cila do të ndjekë itinerarin Prishtinë-Shkup-Podgoricë për të mbërritur në Tiranë, në ditën e lumturimit të saj, më datë 19 tetor. Do të vijojnë aktivitetet me vënien në skenë të një drame për Nënë Terezën në Teatrin Kombëtar. Në ditën e lumturimit do të jetë aktiviteti i Festivalit Ndërkombëtar të Koreve, me pjesëmarrjen e koreve nga vende të Europës, ku do të kenë si detyrim një pjesë nga Oratori për Nënë Terezën për ta kënduar të gjithë së bashku.
#