E Diel, 1 Nëntor 2026

Shefer: “Shqipëria në NATO, me të drejta të plota në pranverë”



Në samitin e ardhshëm të NATO-s që do të mbahet në Strasburg, Shqipëria ka mundësi të bëhet vend me të drejta të plota. Kështu është shprehur Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jap de Hop Shefer gjatë një interviste për BBC-në, në të cilën ka folur për integrimin e Ballkanit në strukturat Euro-Atlantike. “Varet nga proceset ratifikuese në parlamentet e 26 shteteve anëtare të NATO-s. Unë nuk mund të parashikoj, por shpresoj se Shqiperia do të jetë në samitin tjetër të NATO-s në pranverë, në prill, në Strasburg në zemrën e Europës. Por unë nuk mund të parashikoj rezultatin ekzakt të saj”,- u shpreh Shefer duke shpresuar se Shqipëria dhe Kroacia do të bëhen anëtare të NATO-s me të drejta të plota pasi ky është një vendim tepër i rëndësishëm. Megjithatë sipas tij, Shqipëria duhet të ecë përpara me reformat të cilat duhet të zbatohen me përpikmëri. “Ka gjithnjë një rol për aleatët e NATO-s që të ofrojnë mbështetje për shtetet e tjera. Aty ku mundet të ndihmojë, NATO-ja do ta bëjë këtë. Por të mos harrojmë se reformat, - dhe ato nuk janë relevante vetëm për Shqipërinë, nuk janë vendosur, sepse NATO-ja e do këtë. Por reformat duhen bërë për hir të kombit dhe shtetit jo sepse NATO-ja ose Sekretari i Përgjithshëm thonë se tani duhet reformuar”,- tha Shefer duke shtuar se tragjedia e Gërdecit nuk do të prishë partneritetin me Shqipërinë. Në intervistën e tij Shefer foli edhe Kosovën, rolin e KFOR-it atje dhe marrëdhëniet me shtetin e ri. Sipas tij, është në interes të qëndrueshmërisë së rajonit, krijimi i një force të re të sigurisë në Kosovë. Kjo forcë e re që mund të ishte më e përafërt me forcat e xhandarmërisë franceze është në interes edhe të Serbisë dhe serbëve që jetojnë në Kosovë. “Roli i KFOR-it dhe NATO-s, si dhe qëndrimi e mandati i tij, është i bazuar mbi Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. KFOR-i është atje dhe do të vazhdojë të qëndrojë atje për aq kohë sa të jetë e përshkruar nga OKB-ja”,-tha Shefer. Ai shprehu besimin e shumicës shqiptare por edhe pakicave serbe ndaj KFOR-it si forca me e sigurt që operon në këtë vend. I pyetur rreth shpërbërjes së TMK-së dhe zëvendësimit të saj me FSK-në, Shefer u shpreh se askush tjetër nuk mund ta bënte këtë më mirë se KFOR-i, pasi ky proces është kërkuar dhe përkrahur nga qeveria në Prishtinë.

Letra e Gruevskit, reagon Athina: “Shkupi synon shkatërrimin e negociatave”

Pas letrës që kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski i dërgoi homologut të tij grek Kostas Karamanlis për njohjen e pakicës maqedonase ka reaguar ashpër Athina zyrtare e cila ka akuzuar Maqedoninë se me këtë veprim po përpiqet të shkatërrojë përpjekjet për zgjidhjen e çështjes së emrit. “Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, po synon t’i shkatërrojë negociatat dhe t’i çojë ato drejt bllokimit”,-u shpreh zëdhënësi i ministrisë së jashtme greke, Xhorxh Koumoutsakos. Sipas tij, me këtë logjikë do të jetë shumë e vështirë që negociatat të vazhdojnë më tutje. Qeveria e Greqisë njoftoi se kishte marrë një letër nga Nikolla Gruevski në të cilën ishin bërë deklarata të papranueshme lidhur me “minoritetet joekzistuese”. Ndërkohe Maqedonia me deklaratat dhe konfliktet e saj ka lënë të ngrira çështjen e anëtrësimit në NATO dhe BE. Europarlamentari dhe raportuesi i Parlamentit Europian, Erik Mejer, i ka bërë thirrje Maqedonisë të fillojë negociatat me BE-në në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm. “Kam shpresuar se do të fillonin negociatat mes BE-së dhe Maqedonisë, por zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe problemi me Greqinë për çështjen e emrit e kanë shtyrë këtë perspektivë”,- deklaroi Mejer. Kjo Maqedonisë sipas tij, i lë dy mundësi, ta ruajë emrin dhe të mbesë jashtë BE-së dhe NATO-s ose të arrijë konsensus me Greqinë për t’u anëtarësuar, gjë që është e shumë dhimbshme për Maqedoninë, deklaroi Mejer.

16 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›