E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdiu: “Takimi me Bushin, mundësi për të falenderuar SHBA-të”



Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, takimin e ardhshëm me Presidentin amerikan, Xhorxh Bush në Uashington e ka konsideruar si një takim historik për Kosovën dhe një mundësi shumë të mirë për të shprehur falënderimin e thellë të Kosovës për ndihmën që kanë dhënë SHBA-të. “Unë mendoj se është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe unë e quaj historik për Kosovën dhe për mbështetjen ndërkombëtare që i jepet Kosovës në këtë rast nga SHBA-të”,-tha Presidenti Sejdiu. Ai shtoi se në këtë takim do të bisedohet edhe për zhvillimet kanë ndodhur, “me një element të veçantë falënderimi për kontributin e jashtëzakonshëm që SHBA-të kanë dhënë në Kosovë”, si dhe për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve. “Në këtë kuadër them se kjo vizitë është e rolit të vet të historisë”,-nënvizoi Presidenti Sejdiu.
Lidhur me propozimin i ministrit të jashtëm suedez Karl Bilt që UNMIK-u të mbetet në vendbanimet serbe edhe pas përfundimit të procesit të rikonfigurimit të misionit Sejdiu u shpreh: “Në Kosovë nuk mund të ketë dy misione të ndara të mbikëqyrjes për një etni“. Sipas tij propozimet që mund të nxisin edhe temën e ndarjes së Kosovës, janë krejtësisht të papranueshme për institucionet e vendit.

Serbët e Kosovës kundërshtojnë pasaportat e shtetit të ri

Kosovarët së shpejti do të pajisen me pasaportat e reja por me këtë rast kanë reaguar ashpër serbët që jetojnë në Kosovë.
Një nga përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviç, është shprehur dje se pasaportat e Republikës së Kosovës janë të papranueshme për serbët e Kosovës. “Për serbët, të vetmet dokumente të vlefshme janë ato të lëshuara nga Republika e Serbisë. Serbët nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, siç nuk e njeh as Serbia, prandaj ata nuk do të interesohen për pasaportat e Kosovës”,-është shprehur Ivanoviç. Sipas drejtuesit të serbëve të Kosovës, nxjerrja e pasaportave me mbishkrimin “Republika e Kosovës” është “në kundërshtim me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”. Futja në përdorim e pasaportave është pritur me optimizëm nga autoritetet kosovare. “Procesi i prodhimit të dokumenteve civile të Republikës së Kosovës është pranë përfundimit, ndërsa për pasaportë aplikimi fillon këtë javë”,- bëri të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti. Para pasaportave të shtetit të pavarur të Kosovës, të shpallur më 17 shkurt të këtij viti, kosovarët janë pajisur me dokumentet e udhëtimit të UNMIK-ut.

Kryetarja e parlamentit serb: “Kosova, jo me çështje kryesore”

Kosova nuk do të jetë më çështja prioritet e Serbisë, pasi çështje të tjera që kanë të bëjnë me ekonominë dhe integrimin e Serbisë do të jenë tani në qendër të vëmendjes. Kryetarja e Parlamentit të Serbisë, Sllavica Gjukiç Dejanoviç në një intervistë shprehu qëndrimin serb për Kosovën se “sovraniteti dhe integriteti i Serbisë nuk është temë diskutimi”. “Ne besojmë se çështja e Kosovës dhe qëndrimi ynë për sovranitetin dhe integritetin e Serbisë si një vend nuk është në diskutim. Ne jo vetëm që do përsërisim deklaratat tona, por do të qëndrojmë për përmbushjen e këtyre parimeve. Por ne nuk do ta trajtojmë Kosovën si çështje që vjen para gjithë të tjerave dhe që do përmirësojë jetën e kombit tonë”,-tha Sllavica Gjukiç Dejanoviç.

16 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›