E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndoka:“ Brenda vitit, specializime të tjera për mjekët“



Brenda këtij viti do të kryhen specializime të tjera për studentët e mjekësisë. Ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, në një takim me studentët që fituan specializimet pak ditë më parë, sqaroi se do të bëhen përpjekje për organizimin e specializimeve të tjera, duke përfshirë dhe specialitete shtesë si mjeku i urgjencës, menaxhimi shëndetësor, përgatitja e nënspecialistëve, etj. Ndoka ka përgëzuar specializantët, duke u kërkuar që ata të bëjnë reformë në shëndetësi, ndërsa komuniteti do të jetë vlerësuesi i dijeve të tyre. Sipas Ministrit Ndoka, sistemi shëndetësor paraqet probleme që kanë të bëjnë me numrin e profesionistëve të shëndetësisë, shpërndarjen gjeografike jo të baraspeshuar si dhe shpërndarjen e pabarabartë midis niveleve të kujdesit shëndetësor. Shkak për këtë lëvizjet e mëdha demografike brenda e jashtë vendit, tranzicioni dhe interesi ekonomik e profesional për të qenë sa më afër spitaleve më të mira, ka bërë që specialistët të përqendrohen në qytetet kryesore dhe që rrethet periferike të ndodhen në vështirësi për personel të kualifikuar. Specialistët theksuan se shëndetësia është një produkt që nuk mund të ketë dy standarde, një për qytetet e mëdha dhe një për të vogla. Prandaj, mjekët duhet të shpërndahen në të gjitha rrethet e vendit duke punuar me të njëjtin përkushtim. Ministria e Shëndetësisë është duke punuar për krijimin e një kuadri rregullator mbi kualifikimin, licencimin dhe rilicencimin, edukimin në vazhdim specialistëve dhe qendrave shëndetësore. Njëkohësisht, ministri Ndoka ka kërkuar që t’i kthehet imazhi bluzave të bardha, pasi kohët e fundit po ndodhin ngjarje që kanë vënë në dilemë imazhin e mjekëve.

Banka Botërore do të financojë gjimnazin e ri në Paskuqan
Komuna Paskuqan, vetëm dhjetë kilometra larg kryeqytetit, do të ketë së shpejti një gjimnaz të ri. Kjo shkollë moderne e arsimit parauniversitar, me vlerë 1 milion dollarë, pritet të ndërtohet brenda këtij viti. Shkolla, që do të ndërtohet falë një investimi të Bankës Botërore, do të ngrihet midis lagjeve Paskuqan 1 dhe Paskuqan 2, dhe në të do të mësojnë rreth 1500 nxënës. Komuna Paskuqan, është një nga zonat më të populluara me banorë të ardhur nga rrethe të ndryshme të vendit pas viteve ’91. Kjo komunë me tetë fshatra numëron gjithsej shtatë shkolla të sistemit parauniversitar, me rreth 5 200 nxënës gjithsej. Ndërhyrja më e fundit për arsimin në këtë komunë po kryhet në shkollën 9-vjeçare që ndodhet në hyrje të lagjes Fushë Babrru të komunës Paskuqan, një shkollë që do të emërtohet simbolikisht “Vëllazërimi”, për shkak të kulturave dhe traditave të ndryshme. Kështu, vitin e ri mësimor që nis në shtator, plot 800 nxënës do ta zhvillojnë në një godinë krejtësisht të rehabilituar, me 12 klasa të reja, dy laboratorë, një palestër, ndërsa është pajisur me sistem ngrohjeje. Ndryshe nga viti i kaluar, kur mësimi në këtë shkollë kryhej me dy turne, këtë vit procesi do të zhvillohet vetëm paradite, me një numër mesatar prej 30 nxënësish në një klasë.

Komisioni i Shëndetësisë kërkon buxhet shtesë për medikamentet

Komisioni i Shëndetësisë i kërkon qeverisë një shtesë buxheti prej 70 milion lekësh për blerjen e medikamenteve që mungojnë në QSUT. Kjo qendër spitalore po vuan prej disa muajsh nga një gjendje krize, ku mungojnë mjaft medikamente dhe materiale konsumi. Komisioni i Shëndetësisë, i mbledhur ditën e djeshme, diskutoi për zgjidhjen e situatës dhe nxjerrjen nga kriza të qendrës spitalore më të madhe në vend. Në këtë komision kanë marrë pjesë Drejtori i QSUT-së, Mati Pepa dhe shefat e pavijoneve, ku kanë raportuar për gjendjen e vështirë dhe kapërcimin e krizës. Pepa ka fajësuar Ministrinë e Shëndetësisë si përgjegjësen kryesore për mungesat e dukshme. Sipas tij, Ministria e Shëndetësisë nuk ka tenderuar 145 medikamente dhe nëse nuk merren masa për të blerë barnat e duhura, kriza do të vazhdojë edhe vitin tjetër. Ndërsa këtë vit nuk janë çuar për tenderim barnat bazë që duhen për konsumin e përditshëm. Për shmangien e krizës, Kryetari i Komisionit Parlamentar të Shëndetësisë, Tritan Shehu, ka menduar si zgjidhje të krizës në QSUT, një buxhet shtesë para se të kryhen tenderat për këtë vit.

16 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›