E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushtet e reja për të përfituar pension nga 1 korriku deri në qershor 2009



Jonida Tashi

Specialistët e Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH) në Tiranë, pas vendimit të qeverisë, kanë përcaktuar kushtet e reja të përfitimit të pensionit. Duke filluar nga 1 korriku i këtij viti dhe deri më 30 qershor të vitit 2009 të gjithë ata persona që duan të përfitojnë pensione pleqërie duhet të kenë mbushur moshën 63 vjeç e 6 muaj si dhe duhet të kenë 35 vite pune të siguruara. Gradualisht, nga viti në vit rritet mosha e daljes në pension dhe shtohen vitet e punës deri sa nga data 1 korrik e vitit 2023 e në vazhdim minatorët e profesionet e tjera që kanë punuar në nëntokë do të dalin në pension të plotë në moshën 65 vjeç, kur të kenë punuar gjithsej 35 vjet të siguruar, pavarësisht se në cilin profesion kanë punuar. Ashtu si çdo vit në datën 1 korrik mosha e pensioneve ndryshon me 6 muaj, për të krijuar një harmoni mes brezave dhe viteve të lindjes, në mënyrë që të arrihet mosha 65 vjeç për burrat dhe 60 vjeç për gratë.
Kushtet
Specialistët e Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH), sqarojnë se për punë të kategorisë së parë, mosha për të dalë në pension si për burrat ashtu edhe për gratë nuk ka pësuar asnjë ndryshim nga viti i kaluar. Por, ndryshe nga dy kategoritë e tjera, këtu shënohet rritje e viteve të nevojshme për të përfituar pension pleqërie. Kështu, periudha e sigurimit është përcaktuar 29 vite për burrin dhe 29 vite për gruan. Për punë të kategorisë së dytë, mosha për të përfituar një pension pleqërie shtyhet me disa vite më shumë për burrin dhe për gruan. Kështu, 62 vjeç e 6 muaj për burrin dhe 57 vjeç e 6 muaj për gruan është mosha optimale për të përfituar një pension pleqërie, nga 1 korriku 2008 deri më 30 qershor 2009. Ndërsa periudha e sigurimit në vite për këto kategori është 35 vite pune. Për punë të kategorisë së tretë, mosha për t’u bërë përfitues i një pensioni pleqërie është rritur me 6 muaj. Pra për të përfituar pension brenda kësaj periudhe kohore, burrat duhet të kenë mbushur moshën 63 vjeç e 6 muaj, ndërsa gratë 58 vjeç e 6 muaj. Ndërsa periudha e sigurimit në vite për të dyja kategoritë mbetet e njëjtë me atë të kategorisë së dytë me 35 vite vjetërsi pune. Harku kohor që ka të bëjë me vjetërsinë e punës ngushtohet më shumë kur bëhet fjalë për nënat që janë me shumë fëmijë. Mosha për të përfituar një pension pleqërie për këtë kategori është 50 vjeç, ndërsa kushtet për të plotësuar atë dhe që lidhen me periudhën e sigurimit në vite janë 30 vite vjetërsi pune.
Pensioni reduktuar
Specialistët e ISSH-së, sqarojnë se edhe gjatë kësaj periudhe të gjithë ata persona që duan të përfitojnë pension të reduktuar mund të aplikojnë për ta marrë atë. Kështu, të gjithë ata persona që kanë plotësuar 35 vite pune dhe kanë mbushur moshën 62 vjeç, tashmë mund të marrin pension pleqërie, por të reduktuar. Sipas specialistëve, kjo zgjidhje është menduar që t’u ofrohet, burrave që kanë mbushur moshën 62 vjeç si dhe grave që janë 57 vjeç. Por gjithmonë këta persona duhet të plotësojnë patjetër vitet e nevojshme të punës, në mënyrë që të mund të marrin këtë masë pensioni. Nga ana tjetër përfituesit e këtij pensioni ndiqen edhe nga një penalitet. Kështu, në rast se e marrin këtë pagesë, atëherë ajo gjatë gjithë kohës do të jetë e reduktuar, pra edhe në rast se mbushin moshën e nevojshme për të përfituar pension të plotë pleqërie, ai do të vazhdojë të jetë i reduktuar. Sipas ligjit, të gjithë pensionistët që dalin në pension të reduktuar, humbasin 0,6 për qind të vlerës së pensionit të tyre. Kjo vlerë do të llogaritet në bazë të moshës, pra pjesa e paplotësuar e moshës do të shumëzohet me këtë koeficient për të përllogaritur më pas masën e përfitimit. Kështu, në rast se një person del në pension në moshën 63 vjeç, atëherë pjesa e mbetur e muajve që janë 24, shumëzohet me koeficientin 0.6 për qind dhe llogaritet shuma e parave që do ti zbritet masës së pensionit.

Profesionet e ndara në kategori
Për efekt të daljes në pension, Këshilli i Ministrave, sipas shkallës së vështirësive të punës, ka bërë ndarjen e tyre në tri kategori dhe për këtë nga viti 1958-1991 ka nxjerrë rreth 50 vendime. Lloji i punës që punëtori ose nëpunësi ka kryer dhe vjetërsia në atë punë vërtetohet me anën e librezës së punës.

Kategoria e parë
Në punë të kategorisë së parë, ose shumë të vështirë, hyjnë mbi 18 profesione të minierave nën tokë, me të cilat barazohet edhe puna e inxhinierëve, teknikëve, brigadierëve, përgjegjësve dhe zëvendësve të reparteve ose të turneve nën tokë, kur ajo kryhet gjatë gjithë ditës, në miniera nën tokë, ose në punime të tjera të nëntokës; puna e civilëve dhe ushtarakëve të aviacionit dhe të nëndetëseve, si ajo e komandantit të aeroplanit, navigatorëve, mekanikëve, radiotelegrafistëve dhe radiotelefonistëve; disa lloje punësh në fabrikat e pasurimit të minierave të bakrit, të kromit, të fonderive, farkëtarëve, palombarëve, saldatorëve dhe elektrosaldatorëve në rezervuare, kulla dhe cisterna. Gjithashtu, puna e bërë nga artistët e baletit, akrobatët e gjimnastët e cirkut, solistët e operës dhe ansambleve shtetërore, muzikantët e veglave të frymës, artistët e valleve të ansambleve, koristët e operës përfshihen në kategorinë e parë. Po kështu, në kategorinë e parë përfshihen edhe disa punë në industrinë ushtarake, kimike, të naftës, në prodhimin e baterive, në metalurgjinë e zezë, në ferro-krom, në miniera e gjeologji etj.

Kategoria e dytë
Në punë të kategorisë së dytë për daljen në pension hyjnë: puna e kryer në miniera nën tokë, nga drejtuesit dhe personeli inxhinier-teknik, që ka lidhje me kontrollin e punimeve nën tokë; puna në miniera e në sipërfaqe si vagonistët, ngarkuesit e mineralit, ekskavatoristët, buldozeristët, brigadierët e repartit ose turnit, punët e disa profesioneve në gjeologji, në industrinë e gomës, të naftës e gazit, në centralet elektrike, në hekurudha, në prodhimin e çimentos, të xhamit e qelqit; mbi 45 lloje punësh në industrinë tekstile, në industrinë e lëkurëve, të drurit e letrës, të duhanit e cigareve, në institucionet shëndetësore, në ndërtim, mbi 20 lloje punësh në poligrafi, në transportin ujor e peshkim, ndërlidhje, farkëtari, femra dhe meshkuj ushtarakë të shërbimit aktiv, veterinerë me arsim të lartë; 18 profesione në arsim, kulturë e sport, si edukatorë në kopshtet e fëmijëve, mësues e pedagogë, trajnerë profesionistë. Efektivë të të gjitha kategorive të klubeve sportive, disa lloje punësh në shëndetësi, si mjekë, kirurgë, psikiatër, infermierë të reparteve infektive etj.

Kategoria e tretë
Në punë të kategorisë së tretë, për efekt të daljes në pension, përfshihen: punonjësit e administratës civile, ekonomistët, financierët, juristët, kompjuteristët, menaxherët, përkthyesit, magazinierët, punonjësit e mirëmbajtjes, shoferët, punonjësit e tregtisë, të biznesit, të bujqësisë, të blegtorisë etj.

Box

Si do të funksionojë skema e re e pensioneve
Pensionet në vendin tonë së shpejti do të funksionojnë sipas një skeme të re. Sipas funksionimit të kësaj skeme, sistemi i pensioneve do të ndahet në tre kolona, e para është skema e kontributeve të detyrueshme - pensione të caktuara. E dyta është ajo e kontributeve të detyrueshme që administrohet nga skemat e pensioneve private. Ndërsa e treta është skema e pensioneve private që financohet nga kontributet vullnetare.

Si ndryshon mosha e pensioneve në 2008-n dhe 2009-n

Kushtet për të përfituar një pension pleqërie nga 1.7.2008 deri më 30.6.2009:
Për punë të kategorisë së parë: Burri Gruaja
Mosha vjeç 57 52
Periudha e Sigurimit vite 29 29
Për punë të kategorisë së dytë:
Mosha vjeç 62 vjet e 6 muaj 57 vjet e 6 muaj
Periudha e Sigurimit vite 35 35
Për punë të kategorisë s tretë:
Mosha vjeç 63 vjet e 6 muaj 58 vjet e 6 muaj
Periudha e Sigurimit vite 35 35
Për nënat me shumë fëmijë:
Mosha vjeç 50
Periudha e Sigurimit vite 30

16 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›