E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kolaps në QSUT, pacientët braktisin spitalet prej infeksioneve



Emanuela Sako

Kolapsi që ka përfshirë QSUT-në, duket se nuk do të marrë fund derisa autoritet shëndetësore të angazhohen plotësisht në zgjidhjen e tij. Qendra më e madhe spitalore në vend “Nënë Tereza“, po degradon çdo ditë e më tepër. Përveç mungesave të shumta, tashmë asaj po i mungojnë edhe pacientët. Qytetarët janë të terrorizuar nga shërbimi i QSUT-së dhe viruset që kanë infektuar sallat e operacioneve të shumë pavijoneve. Shumica e qytetarëve zgjedhin klinikat private apo Spitalin Ushtarak për t’u kuruar sesa QSUT-në, qoftë edhe për rastet e urgjencave. Për më tepër, kjo situatë vjen për faktin se mjekët nuk kanë se me çfarë t’i kurojnë pacientët. Madje, situatën e ka komplikuar edhe më tepër skandali i arrestimit të Mjekut Urolog Dautaj apo Refatllarit që mendohet si shkaktar për vdekjen e 17-vjeçares nga Maliqi i Korçës.
Braktisja
Pacientët kanë braktisur QSUT-në për në klinikat e tjera. Ata nuk kanë më besim tek shërbimi që iu ofrohet në QSUT dhe për më tepër ndihen të terrorizuar nga përhapja e infeksioneve të rrezikshme për jetën. Rreth dy javë më parë, QSUT-ja u përfshi nga një valë skandali në Pavijonin e Kardiokirurgjisë, i cili rezultoi i kontaminuar nga virusi Pseudomonas, i cili kishte infektuar disa të sëmurë. Pacientët ishin bërë operacion dhe më pas kishin pasur temperaturë të lartë dhe rezultuan se ishin në rrezik për jetën. Menjëherë u bë mbyllja e tre sallave të operacionit, të cilat ishin prekur nga virusi, i cili do të bëhej rrezik edhe për pacientë të tjerë. Arsyeja kryesore ishte mungesa e higjienës dhe mungesa e dezinfektimit të sallave me solucione të forta. Kjo situatë ndodh në çdo pavijon, ashtu si edhe në Spitalin Infektiv që është i rrezikshëm për përhapjen e mjaft viruseve. Mungesa e blerjes së detergjenteve ka bërë që të mos dezinfektohen sallat e shtrimit apo korridoret e spitalit.
Kriza
Pritet që kriza të thellohet edhe më tepër, kur vetëm dy ditë më parë janë pushuar nga puna 48 sanitare dhe pritet që numri i tyre të shkojë në 112 vetë. Duket se QSUT-ja, po kthehet në një arenë protestash dhe ankesash. Sanitaret e pushuara nga puna kanë protestuar përpara Drejtorisë së QSUT-së, duke pretenduar se largimi i tyre është i padrejtë. Drejtoria e QSUT-së ka pushuar 48 punonjëse sanitare të Pavijonit të Imazherisë dhe Kirurgjisë në bazë të reformës që ka ndërmarrë Ministria e Shëndetësisë. Përveç kësaj ngjarje të rëndë për sanitaret që kërkojnë të mbajnë familjen me anë të punës, problemi qëndron se tani që numri i tyre do të pakësohet, QSUT-ja do t’a ketë të vështirë mbajtjen pastër të ambienteve.

16 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›