E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ari Han, na gënje sot me një fitore!

 

Jetmir Halilaj

Sot është 1 prilli, dita e gënjeshtrave. Për të gjithë shqiptarët, gënjeshtra më e bukur do të ishte një fitore e Kombëtares sonë në Kopnehagen. Kuqezinjtë do të ndeshen me kryesuesen e grupit 1, Danimarkën, e cila pas ndeshjeve të fundit konsiderohet edhe pretendentja kryesore për t’u kualifikuar në Botërorin “Afrika e Jugut 2010”. Shqipëria vjen në këtë takim pas humbjes zhgënjyese 1-0 me Hungarinë në “Qemal Stafa” dhe morali i lojtarëve tanë nuk është ai i duhuri, për të përballuar një ndeshje kaq të vështirë. Përveç kësaj, përfaqësuesja jonë dështoi edhe në ndeshjen me Maltën më 11 shkurt, ku nuk arriti të merrte më shumë se një barazim pa gola. Praktikisht kuqezinjtë kanë dështuar në ndeshjet e tyre më vendimtare, ndaj edhe tifozët shqiptarë nuk janë shumë optimistë për takimin e sotëm, ndonëse të gjithë ëndërrojnë një rezultat surprizë në Danimarkë. Barazimi do të ishte gjithashtu, një arritje e madhe në këtë sfidë, por do të jetë shumë e vështirë. Një fitore e mundshme do të ishte padyshim, “gënjeshtra” më e bukur për të gjithë shqiptarët.
Surprizat
Përfaqësuesja shqiptare nuk shquhet shpesh për përmbysje, por gjithsesi, ajo ka treguar se është e aftë të bëjë surpriza. Madje, një të tillë e bëri edhe gjatë këtij edicioni, teksa pas një humbjeje dëshpëruese 2-0 më 11 tetor në Budapest me Hungarinë, arriti të ndalte Portugalinë, katër ditë më pas në Bragë. Shqipëria barazoi në atë ndeshje, ndonëse ishte me dhjetë lojtarë dhe përballë kishte yje të kalibrit të Kristiano Ronaldos, Kuarezmës apo Manike. Barazimi ndaj “Brazilit” të Evropës, pati një jehonë shumë të madhe në arenën ndërkombëtare. Një rezultat pozitiv në Kopenhagen, mund t’i japë një dorë edhe trajnerit të përfaqësueses sonë, Ari Hanit, i cili ndodhet nën një presion shumë të madh dhe nuk përjashtohet mundësia që të largohet pas kësaj ndeshjeje.
Formacioni
Trajneri i Kombëtares do t’i besojë sërish formacionit që hodhi në fushë kundër Hungarisë të shtunën. Në portë pritet të jetë Isli Hidi. Në mbrojtje rikthehet Elvin Beqiri, i cili do të zërë vendin e Lorik Canës, që mungon në këtë takim për shkak se është i pezulluar me karton të verdhë. Në të djathtë do të jetë Dallku, në qendër Beqiri dhe Curri, ndërsa në të majtë do të vendoset Agolli. Në mesfushë Lala do të jetë para mbrojtjes. Në krah të tij do të jetë Duro dhe jo Bulku. Lika, Skela dhe Berisha do të ndihmojnë Salihin të vetëm në repartin e sulmit. Sipas stafit të Kombëtares, stërvitja e djeshme ka shkuar si duhet dhe të gjithë lojtarët gëzojnë një formë të mirë fizike dhe psikologjike.

Në stadium
Në stadiumin e Kopenhagenit, “Parken Stadium”, ku do të luhet sot në orën 20:15 ndeshja mes Danimarkës dhe Shqipërisë, pritet të jenë të pranishëm edhe 450 tifozë shqiptarë, të cilët do të mbështesin skuadrën e tyre të zemrës. Lajmin e kanë konfirmuar mediat lokale, të cilat u referoheshin të dhënave zyrtare të policisë vendore. Ndërkaq, sipas shtypit danez, pritet që një pjesë e mirë e stadiumit të jetë bosh, për shkak se skuadra shqiptare konsiderohet nga vendësit si një ekip modest, të cilin përfaqësuesja e Danimarkës do ta kalojë pa shumë probleme.

Media injoron Hanin
Trajneri i përfaqësueses shqiptare s’ka dhënë asnjë deklaratë për shtyp dje, në kuadër të ndeshjes kundër Danimarkës. Ai nuk ka pasur asnjë kërkesë nga gazetarët vendës për të dalë në konferencë për shtyp. Përfaqësuesit e medias vendëse nuk kanë pasur asnjë interes të intervistonin Ari Hanin.

Berisha në sulm
Aktivizimi i Besart Berishës ka qenë në pikëpyetje deri dje, por 24 orë para ndeshjes, në seancën e mbrëmshme, Ari Han e ka provuar atë në sulm përkrah Salihit, duke lënë të kuptohet qartë se biondi i përfaqësueses do ta nisë si titullar takimin e sotëm. Berisha ka thënë se ëndërron t’i shënojë një gol Danimarkës.

Presidenti Topi
Në ndeshjen e sotme kuqezinjtë do të kenë në stadium një tifoz special. Bëhet fjalë për presidentin e Shqipërisë, Bamir Topin, i cili ka udhëtuar dje drejt Kopenhagenit, enkas për të parë ndeshjen mes Shqipërisë dhe Danimarkës. Kreu i shtetit shqiptar është shumë i pasionuar pas futbollit.

Koeficientet
Kompania e basteve, “Bwin”, në koeficientet e saj nuk e llogarit aspak si favorite Shqipërinë, teksa e konsideron triumfin e Danimarkës si të lehtë. Fitorja e Danimarkës, ose ndryshe shenja “1” në skedinë, kuotohet me koeficientin 1.20. Barazimi është kuotur me 5.55, fitorja e Shqipërisë me koeficientin 11.00.

Gjyqtarët
Ndeshja Danimarkë-Shqipëri, do të luhet sot në 20:15, në stadiumin e Kopenhagenit “Parken Stadium, që ka një kapacitet prej 44 mijë vendesh. Kjo sfidë në Shqipëri do të transmetohet nga “Supersport”. Gjyqtarët e takimit do jenë sllovenë. Kryesor është Damir Skomina, asistentë Primoz Arhar e Marko Stançin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›