Olsen kërkon të kënaqë tifozët me gola
Danezët nuk e vënë në diskutim fitoren me Shqipërinë, por kërkojnë që të shënojnë sa më shumë gola, në mënyrë që të kënaqin tifozët. Ka qenë vetë trajneri i Danimarkës, Morten Olsen, i cili në konferencën për shtyp para ndeshjes është shprehur se, nesër (sot) skuadra e tij do të kërkojë që të luajë një futboll zbavitës. “Shpresoj që t’i kënaqim tifozët tanë të mrekullueshëm, - tha fillimisht Olsen. – Lojtarët po kalojnë një formë mjaft të mirë dhe janë të uritur për të shënuar sa më shumë në këtë ndeshje. Objektivi ynë është që të kualifikohemi dhe mund ta bëjmë një gjë të tillë, vetëm duke fituar ndeshjet. Mundësisht, këtë herë unë do të kërkoj që të tregojmë një futboll të bukur ndaj shqiptarëve”. Më tej, trajneri danez vlerësoi ekipin kuqezi, duke marrë shkas nga euforia që ekziston te tifozët, për të cilët ai u shpreh: “Jam i lumtur që tifozët danezë kanë prenotuar që tani bileta për ndeshjen e hapjes së Botërorit 2010, por ne ende nuk jemi kualifikuar. Duhet të kalojmë një herë Shqipërinë, që është një skuadër e fortë”. Danezët mundën Maltën 3-0, të shtunën e kaluar, duke qëndruar sërish në vendin e parë të grupit 1, bashkë me Hungarinë (nga 10 pikë), por me një golavarazh më të mirë. Edhe pse mbeti i befasuar nga forma e lojtarëve maltezë, Olsen beson se Shqipëria do të ofrojë një lojë më cilësore gjatë takimit në Kopenhagen. “Shqipëria nuk ka në gjirin e saj lojtarë të shpejtë, si maltezët Majkëll Mifsud apo Endrju Kohën, ndaj të cilëve ne nuk kemi qenë ekipi i vetëm, që kemi pasur probleme. Por gjithsesi besoj se kundërshtari është më i fortë se Malta dhe natyrisht pres një lojë me rivalitet”, tha ai.