Shefi i BP lë detyrën me 18 milionë USD bonuse
Shefi ekzekutiv i kompanisë britanike “British Petroleum”, Tony Hayward, pritet që të largohet nga vendi që ka drejtuar deri më tani, por me një sasi shumë të madhe parash, plot 18.5 milionë dollarë si shpërblim me sa duket për shkatërrimin historik që i bëri Gjirit të Meksikës. Sasia e madhe e bonusit me të cilën ai do të largohet nga posti i lartë, e cila më parë në fakt duhet të miratohet nga bordi i kompanisë, rrezikon që të shpërthejë pakënaqësi dhe rebelime të reja, ndërsa kompania po përpiqet që të ndreqë edhe reputacionin e saj të bërë copash si kompania me rekordin më të rëndë ambientalist në histori. Por deri dje nuk është marrë ende ndonjë vendim në lidhje me ardhmërinë e shefit ekzekutiv, gafat e të cilit në vijim të shpërthimit të platformës së naftës e shndërruan në një figurë gati të urryer. Nuk do të harrohet për një kohë të gjatë deklarata e tij jashtëzakonisht egoiste: “Unë dua jetën time siç e kisha para shpërthimit”, të cilën e bëri gjatë njërës prej intervistave të para televizive pas katastrofës. Me sjelljet dhe reagimet e tij, shefi ekzekutiv arriti që të shkaktonte dhe kritika nga ana e Presidentit amerikan, sipas të cilit ai duhet të ishte pushuar menjëherë nga detyra pas katastrofës së 11 prillit të kaluar, nga e cila fillimisht humbën jetën 11 punëtorë. Por, nëse do të largohet nga detyra, ai do të iki me një sasi shumë të madhe parash. Personi që pritet ta zëvendësojë është Bob Dudley, i cili është aktualisht njeriu që ndodhet në krye të përpjekjeve për të pastruar Gjirin e Meksikës nga dëmtimet e rrjedhjes së naftës. Sasia e parave që merr shefi me vete është e barabartë me pagën e tij vjetore, plus një pension të majmë të garantuar për pjesën e mbetur të jetës. Hayward e nisi karrierën me BP 28 vjet më parë dhe ai më në fund pas shumë përpjekjesh erdhi në krye të kompanisë vetëm në vitin 2007. Për sa i përket kompanisë, ajo përballet me dhjetëra akuza në gjykatë për dëmshpërblime që kapin shifra jashtëzakonisht të mëdha.
#