E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korça feston me lakrorë

Tradita

Festa e lakrorit me dy petë të pjekur në saç, për të tretin vit radhazi ka ekspozuar traditën kulinare të Korçës dhe një nga produktet e brumit që preferohet më shumë nga turistët. Në kuadrin e kësaj feste janë prodhuar në natyrë më shumë se 200 lakrorë me dy petë të pjekur në saç. Në parkun e qytetit, shumë turistë i janë bashkuar kësaj eksperience. Amvisat korçare, por edhe ato të ardhura nga Polena dhe Boboshtica, kanë gatuar në park mes gjelbërimit. “Ne e kemi traditë gatimin e lakrorit me dy petë. Secila nga ne amvisat që marrim pjesë, gatuajmë deri në 50 lakrorë me dy petë. Ka një shumëllojshmëri lakrorësh, me qepë dhe domate, me presh dhe gjizë, me fasule, me vezë dhe kos, me lakër etj. Ka shumë kërkesa për lakrorin korçar dhe na vjen mirë se shijohet dhe pëlqehet nga turistët. Kjo është një traditë e bukur që ne ua mësojmë edhe vajzave dhe nuseve”, thotë një nga amvisat që ka ardhur nga Polena. Gatimi i lakrorit me dy petë është një traditë e vjetër që trashëgohet brez pas brezi tek amvisat korçare. Kjo festë që organizohet nga bashkia pritet të zhvillohet çdo vit në sezon turistik. “E veçanta është se turistët shijojnë jo vetëm lakrorin, por edhe e shohin se si gatuhet”, thotë një tjetër amvisë. Kjo festë ka përfshirë shumë turistë që janë gjendur në Korçë.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›