E Diel, 1 Nëntor 2026

Të izoluar nga bota. Zbulohet në Amazonë fisi i njerëzve të kuq

Një prej fiseve të fundit indigjene të Amerikës së Jugut, që akoma ishte i izoluar nga bota e jashtme, është fotografuar në një zonë të thellë, në Amazonën e egër, në kufirin mes Brazilit dhe Perusë. Imazhet e fiksuara nga një avion që të enjten kishte fluturuar mbi zonë, tregonin një grup prej rreth 15 personash, me fytyra të pikturuara me ngjyrë të kuqe dhe me harqe në duar, që shikonin me frikë drejt qiellit. Në një nga këto foto shiheshin qartësisht "luftëtarët" që përpiqeshin të godisnin me shigjeta. Zbulimi është një konfirmim i qartë i atyre që deri më tani konsideroheshin hipoteza, që ende ekzistojnë grupe tribale që duhen zbuluar, në amazonë. Ekspedita ishte financuar nga qeveria e shtetit brazilian, agjencia qeveritare që mbron të drejtat e indigjenëve në Brazil. Anëtarë të saj, kanë thënë se fotot ishin shkrepur dhe shpërndarë për të demonstruar ekzistencën e komunitetit dhe për të ndaluar që industria minerare e paligjshme, të shkatërrojë territorin e tyre. Organizatori i misionit dhe koordinatori i Frontit të Mbrojtjes Ambientale të Funait, Hoze Karlos dos Reis Meirelles, ka shpjeguar se fotot dëshmojnë që "mekanizmat për mbrojtjen e këtyre popullatave, kanë funksionuar". Grupi, ka gjasa të jetë më i madh nga katër tributë (fiset) e izoluara, që ende mbeten në Acre dhe prania e të cilave është dokumentuar që nga 1910-a. Sipas "Survival International", një organizatë që lufton për të drejtat e indigjenëve, janë rreth 40 në Brazil, grupet indigjene që ende nuk kanë vendosur kontakte me botën e jashtme. Por, llogaritet që fiset që nuk kanë pasur kurrë kontakte me civilizimin, janë rreth 100 në të gjithë botën. Zakonisht, ato përbëhen nga pak persona, asnjëherë më shumë se 100, dhe jetojnë në vendet më të largëta dhe të thella të tokës, në rajone të paeksploruara, ku civilizimi nuk ka arritur akoma: ishuj të humbur apo në zemër të terreneve të virgjëra të Amerikës së Jugut, Azisë apo Oqeanisë: më shumë se gjysma janë të përqendruara në Brazil dhe Peru. Janë gjithsesi popullatat më të kërcënuara të planetit dhe rrezikohen nga industria minerare apo ajo e drurit që shkreton territoret ku ata banojnë. Kontaktet me të huaj në rast se nuk mungojnë janë ekstremisht të rralla, ndërsa sëmundjet e padëmshme për perëndimorët, rezultojnë tërësisht të reja e fatale për ta.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›