E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shefi i Ligës Arabe respekton rezolutën për Libinë

Sekretari i përgjithshëm i Ligës Arabe, Amer Musa, deklaroi sot se e respekton rezolutën e Kombeve të Bashkuara, që ka autorizuar aksionin ushtarak kundër regjimit të Muamer Gadafit.

Pas takimit me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Mun, në Kajro të Egjiptit, Musa tha se nuk ka problem me rezolutën e ndalim fluturimit për Libinë, pasi “ajo është për mbrojtjen e civilëve”.

Dje ai ishte cituar se ka thënë se kishte shqetësime për mënyrën se si po implementohet zona e ndalim- fluturimit.

Ndërkohë Ban Ki-Mun tha sot se “masat e fuqishme dhe të vendosura” ishin të vetmet, që mund ta ndalin regjimin e Gadafit nga vrasjet e civilëve.

Afro 50 demonstrues pro Gadafit, kishin rrethuar Ban Ki Moonin në Sheshin Tahrir në Kajro, pas bisedimeve të tij me Amër Musën, duke e detyruar sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, që të tërhiqet prapa në selinë e Ligës Arabe.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›