Shefi i MI5: Rusia, Kina dhe Irani, në krye të listës së kërcënimeve ndaj Britanisë së Madhe

Britania përballet me kërcënime të mëdha sigurie nga Rusia, Kina dhe Irani, të cilat përdorin frikësim, madje edhe dhunë në vende të huaja, për të arritur qëllimet e tyre. Deklarata u bë nga shefi i inteligjencës së MI5 i Mbretërisë së Bashkuar.
Ken McCallum, drejtori i përgjithshëm i MI5, theksoi paralajmërimet në rritje nga autoritetet britanike për agresionin e Rusisë dhe aktivitetin në rritje të Kinës. Por ai veçoi edhe Iranin, si shtetin “i cili hedh hapa më shumë drejt terrorizmit”.
Sipas tij, autoritetet në Mbretërinë e Bashkuar kanë zbuluar të paktën 10 “kërcënime të mundshme” gjatë këtij viti, për të “rrëmbyer apo vrarë britanikë, ose shtetas të tjerë në Mbretërinë e Bashkuar, të perceptuar si “armiq të regjimit.”
Ai tha se shërbimet e inteligjencës iraniane “janë të përgatitura të ndërmarrin veprime agresive” kundër kundërshtarëve në tokën perëndimore.
Javën e kaluar, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar thirri kryediplomatin e Teheranit në Londër, dhe akuzoi republikën islamike për kërcënime ndaj gazetarëve që punojnë në Britani.
Kanali satelitor i lajmeve në gjuhën farsi, Iran International, me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, tha se policia britanike kishte paralajmëruar dy gazetarë të saj për “një rrezik të besueshëm për jetën e tyre dhe të familjeve”.
McCallum tha se ekziston rreziku që Rusia, Kina dhe Irani, të ndihmojnë njëri-tjetrin.
“Ne po përballemi me kundërshtarë të rrezikshëm që nuk kanë turp për taktikat që përdorin,”- tha ai.
Ai deklaroi se spiunazhit rus i është dhënë një “goditje e strategjike” pas pushtimit të Ukrainës, duke dëbuar më shumë se 400 spiunë që punonin nën mbulesën diplomatike në misionet ruse në Evropë.
Por, sipas tij, spiunazhi britanikë po përballet ende me metoda të fshehta të intiligjencës ruse, ku përfshihen tentativa për vrasje, sulme kibernetike, dezinformim, spiunazh dhe ndërhyrje në zgjedhje.
“Mbretëria e Bashkuar duhet të jetë gati për të reaguar ndaj agresionit rus gjatë viteve në vijim”,- tha ai.
McCallum e konsideroi Kinën një problem afatgjatë, duke thënë se “aktivitetet e Partisë Komuniste Kineze paraqesin një sfidë strategjike për Mbretërinë e Bashkuar”.
Ai tha se autoritetet kineze po përpiqen të formësojnë edhe politikën britanike, duke “u përpjekur të ndikojnë jo vetëm tek parlamentarët e njohur, por në të gjithë peizazhin politik”.
Në samitin e Grupit 20 në Indonezi, kryeministri Rishi Sunak tha se Kina përbën “një sfidë për vlerat dhe interesat britanike, dhe se ajo përfaqëson kërcënimin më të madh për sigurinë ekonomike”. Apnews
/rtsh.al/