E Diel, 1 Nëntor 2026

Shefi i Urgjencës në QSUT: Spitali i ri në QSUT, peng i fondeve për personelin

Zv/ministri i Shëndetësisë rrëfen në komision problemet e shërbimit të Urgjencës


Atë që kishte thënë prej kohësh gazeta SOT, se shërbimi spitalor në QSUT është tejet problematik, e ka pranuar vetë numri dy i shëndetësisë, Bardh Spahia, i cili ka pohuar para deputetëve të mazhorancës se shërbimet e urgjencave në vendin tonë kanë shumë probleme.

Në urgjencat e pavijoneve këtë ndihmë duket sikur e kërkojnë çdo vit ndihmën e mjekut të urgjencës, por sipas të dhënave jo gjithmonë ndihma e shpejtë e urgjencës, mbërrin në kohë atje ku kërkohet. Zv/ministri i Shëndetësisë, Spahia, në prani të deputetëve në Komisionin e Shëndetësisë ka treguar të gjitha hallkat ku çalon shërbimi i urgjencës. Nga vlerësimi i bërë rezulton se ka shfrytëzim të ulët të shërbimit të urgjencës mjekësore, nivel profesional jo në shkallën e duhur i personelit, mungesë e standardizimit e mbajtje jo e mirë e të dhënave për pacientin. Sipas tij në qershor pritet të hapet spitali i ri, ku shërbimi i parë që do të instalohet në të është ai i urgjencave dhe në një fazë të dytë do të bëhet kalimi i shërbimit të reanimacionit. Nga ana tjetër shefi i këtij pavijoni, Ilir Ohri tha se për këtë fazë të dytë nuk ka personel dhe kërkohet rritje e buxhetit. Nëse do të mendojmë të nisim punën në qershor, aty do të punojnë mjekë, infermierë dhe duhet një buxhet, tha shefi i urgjencës në QSUT. Sipas tij, nëse këta mjekë e infermierë punësohen, mbetet problem pagesa e tyre. Nëse nuk nxirret norma që duhet atëherë ky projekt mund të dështojë, u shpreh Ohri. Me anë të një granti japonez, 14 qendrat e urgjencave në rrethe do të pajisen me aparatura të specializuara për të ofruar një shërbim cilësor për pacientin. Ndërsa qeveria italiane ka ndihmuar me 4.25 mln euro për asistencë teknike. Ministria e Shëndetësisë ka vendosur që të hapë një degë të re në fakultetin e mjekësisë për degën e mjekut të urgjencës për të plotësuar kërkesat e shërbimit të urgjencave.


Kauza
Qendra më e madhe spitalore Nënë Tereza vazhdon të mbetet në gjendje tepër të rëndë, kjo përsa i përket kushteve që u ofrohen qytetarëve. Gjendja në urgjencat e pavijoneve të ndryshëm e pohon këtë. Urgjenca e pediatrisë, i vetmi pavijon në Qendrën Spitalore Nënë Tereza i cili kuron rastet e shpejta, ose ato më urgjentet për fëmijët e vegjël duket vërtet se është në gjendje kaosi. Edhe pse ka lëvizje pambarim dhe prindërit me fëmijë në krahë nxitojnë të marrin një mjekim, ose të kryejnë një veprim urgjent për fëmijët e tyre, gjendja në brendësi të pavijoneve është vërtet e pazakontë. Muret e disa dhomave që nuk kuptohet se për çfarë shërbejnë dhe për më tepër, dhomat ku të vegjlit qëndrojnë për javë të tëra janë gjithë lagështirë. Muret e tyre kanë krijuar madje edhe myk i cili ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në keqësimin e shëndetit të pacientëve të vegjël. Por ka edhe më tepër, në këtë pavijon duket se është harruar gjithçka, mungesa e mjeteve dhe e ilaçeve ndihmëse është një problem tepër serioz. Në lidhje me këtë vetë prindërit e disa prej fëmijëve që ndodheshin në urgjencën e pediatrisë por edhe në disa prej dhomave të shtrimit tregojnë për gazetën SOT se gjendja në këtë pavijon është tepër indinjuese. Kam tre orë që e kam sjellë fëmijën në urgjencën e pediatrisë dhe shoh një neglizhim total, na u desh që të prisnin doktoreshën gati dy orë dhe më pas kaloi edhe një gjysmë ore për ti bërë djalit një serum pasi e shpuan disa herë, tha dje për gazetën një prej prindërve që priste me orë të gjata në urgjencë. Në vëzhgimin e bërë nga gazeta në pediatri duket se mungojnë përveç vigonëve që shërbejnë për mbajtjen në mënyrë të përhershme të ages pa e shpuar fëmijën disa herë në ditë deri tek pajisjet ku vendosen shishet e serumit.

Arta AGOLLI

Last Updated on E Hene, 12 Prill 2010 21:45

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›