Kryeministri Berisha komenton ngjarjet e 20 vjetëve më parë

“2 korrik 1990, tërmeti i vërtetë politik dhe social në Shqipëri”
Kryeministri Sali Berisha komenton ngjarjet e 2 korrik 1990-ës në Shqipëri, si një tërmet i vërtetë politik dhe social, duke sjellë pluralizmin politik dhe shembjen e një prej nomenklaturave më të egra që kishte njohur ndonjëherë njerëzimi. Gjatë një interviste për programin në shqip të “Zëri i Amerikës”, shefi i ekzekutivit u shpreh se rokada kundër regjimit erdhi si rezultat i protestave të të rinjve dhe kurajës së tyre për të çliruar vendin nga kthetrat e komunizmit. Duke iu referuar ngjarjes së ambasadave, ku të rinjtë shqiptarë u futën në to, Berisha tha se ishte momenti kyç që solli ndryshimin e rrjedhës së ngjarjeve për Shqipërinë. Gjithashtu Berisha duke bërë një rezyme të gjithë hapave që ka bërë vendi që nga ngjarjet e 2 korrikut të vitit 1990 theksoi se Shqipëria ka ecur shumë përpara. “Ku është Shqipëria sot? është shkëputur nga izolimi i vendeve të varfra me 11 përqind varfëri. është anëtare e NATO-s dhe pa pasur hapa përpara në procesin e integrimit”, vë në dukje kryeministri Sali Berisha. “Ka qenë një atmosferë jashtëzakonisht emotive. Një pjesë e përjetonin me gëzim të madh sepse më në fund ajo që pritej ndodhi më në fund. Të tjerë që kishin fëmijët e tyre e përjetonin dhe ata me emocione të madh, por kishin më shumë tronditje. Ishte një ngjarje që tronditi, më thellë ishte një tërmet i vërtetë politik dhe social, për Shqipërinë më të izoluar në botë”, u shpreh kryeministri Berisha. Duke sfiduar regjimin komunist afro 5200 të rinj kapërcyen muret e larta të ambasadave perëndimore, në kërkim të rifitimit të lirisë së tyre dhe dinjitetit të munguar prej 45 vjetësh. Qytetarët e skllavëruar të diktaturës kërkuan me ngulm lirinë. “Ka qenë një kurajë e jashtëzakonshme e atyre të rinjve. Pas tyre u vranë me qindra në kufi, jo në vitet ‘70 apo ‘50, por në vitet ‘90-të ku në Shqipëri u zvarritën qindra trupa të rinjsh të vrarë në kufi, vetëm e vetëm pse ata donin lirinë”- tha kryeministri Berisha. Shqipëria e pas 20 viteve sipas kryeministrit, është shkëputur nga grupi i vendeve të varfëria. Berisha tha se reformat e qeverisë kanë bërë që Shqipëria të mos jetë më vendi më i izoluar në Europë, por tashmë është vend anëtar i NATO-s dhe se këtë vit ka patur disa vendime të rëndësishme të mëdha drejt integrimit evropian, ku vlen të përmendet marrja e statusit kandidat dhe liberalizimi i vizave brenda këtij viti. Revolta e 2 korrikut 1990 shënoi një rrugë pa kthim drejt çrrënjosjes së regjimit më të egër të ka njohur ndonjëherë njerëzimi.
...