Decentralizim fiskal dhe sistem mikro-kreditimi në të gjithë vendin”
Kryeministri Sali Berisha në konferencën e UNDP: “Bashkojmë politikat dhe praktikat”
Kryeministri Sali Berisha shprehu dje angazhimin e plotë të qeverisë për thellimin e decentralizimit fiskal për qeverisjen vendore dhe mundësinë për ngritjen e një sistemi mikrokreditimi në mbarë vendin, për të ndihmuar në mënyrë të veçantë zonat rurale.
Duke folur në konferencën e UNDP “Bashkojmë politikat dhe praktikat”, Berisha theksoi se Shqipëria ka probleme në formën territoriale të qeverive vendore, ndërsa shtoi se mungesa e një sistemi kreditimi për zonat rurale është një nga problemet më madhore.
“Në përputhje me decentralizimin qeveria ka rritur disa herë fondet për qeveritë vendore, së fundi ajo ka krijuar Komitetin e Zhvillimit të Rajoneve, që ka përfaqësuesit tuaj dhe në përputhje me projektet që paraqisni bën një shpërndarje të fondeve transparente, në përparësitë që përcaktoni vetë. Qeveria është e vendosur të thellojë decentralizimin fiskal dhe jemi të përgatitur për paketë të re decentralizimi fiskal, që do të fuqizojë të gjithë veprimtarinë tuaj, theksoi Berisha, duke shtuar se, potenciale të mëdha janë ende për t’u shfrytëzuar në qarqet e Shqipërisë. Ato mund të shfrytëzohen vetëm me përkushtimin dhe angazhimin tuaj të plotë”.
Berisha u ndal edhe në mundësinë për një sistem kreditimi për zonat rurale të vendit. “Qeveria ka një sërë projektesh, agjencitë e saj janë të shtrira në të gjitha qarqet. Sërish mungon në Shqipëri një sistem kreditimi për zonat rurale të vendit. Mungesa e këtij sistemi përbën një nga problemet më madhore të komuniteteve në këto zona, por ne po shqyrtojmë mundësinë e ngritjes së tij. Ky sistem krijoi një traditë të shkëlqyer në ‘92-’96 me Bankën Botërore, por siç ndodh jo rrallë në histori, banka asgjësoi suksesin e vet duke ndërprerë një nga sistemet më të shkëlqyera të mikrokreditit që kishte instaluar në vend. Ne mbetemi të vendosur për sistem mikrokrediti në mbarë vendin”, tha Kryeministri Berisha. “Ekziston një aksiomë e njohur se çdo fshat ka diçka më të mirë për të gjithë vendin. Por ka diçka ndoshta më të mirë edhe më gjerë se vendi. Kjo nismë është një nisëm suksesi në vendet të cilat janë përqendruar të identifikojnë, nxisin, konkretizojnë këtë nisëm. Ta shqyrtojmë me vëmendje këtë sistem. Tregu dhe promovimi i artikujve janë pazgjidhshmërisht të lidhur me njëri tjetrin. Sot prodhime të mrekullueshme, qofshin bujqësore, qofshin artizanale, mbeten në anonimat sepse nuk janë në fokusin e autoriteteve lokale për t’i servirur në të gjithë parametrat që ato kanë. Te ne potencial shumë i madh është artizanati, ndaj nxitja e tij do të sillte më shumë punësim”, u shpreh Kryeministri. “Të bëjmë gjithçka dhe të përdorim të gjitha potencialet për ta nxitur artizanatin. Të bëhemi realist sepse mund të punësojmë me artizanat më shumë se në fabrika të mëdha. Zhvillimi i tyre është jetike për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit dhe zhvillimi i qëndrueshëm nënkupton zhvillim, i cili nuk lë një tagër të rëndë për ata që vijnë pas nesh, zhvillim i cili trashëgohet dhe i reziston kohës dhe nuk dëmton të ardhmen e atyre që vijnë. Në këtë kontekst mjedisi është kushti më kryesor, mbrojtja dhe zhvillimi i tij për të pasur një zhvillim të qëndrueshëm. Asgjë që rrënon mjedisin nuk mund të pranohet si variant zhvillimi. Rëndësi ka që çdo projekt të ketë në themel mbrojtjen e mjedisit, zhvillimin e tij. Të mos krijojmë më batërdira mjedisore, siç kemi krijuar midis Krujës dhe Fushë Krujës. Të bëjmë gjithçka që Shqipëria të zhvillohet me mjedisin më të shëndetshëm, më të kultivuar, më të zhvilluar”, tha Berisha
Kryeministri theksoi rëndësinë e zhvillimit rajonal dhe kërkoi angazhimin e vendorëve për të bërë të mundur nxjerrjen nga izolimi të çdo komune të vendit. “Të nxjerrim nga izolimi çdo komunë të vendit. Në vitet e ardhshme infrastruktura do të kompletohet, por qeveria kurrë nuk mund të bëjë atë që ju mund të bëni në komunitetet tuaja. Qeveria është e vendosur të delegojë çdo kompetencë që ju nevojitet për zhvillimin e qarqeve dhe rajoneve”, u shpreh Berisha. Kryeministri u bëri thirrje autoriteteve vendorë të përparësojnë punimet në infrastrukturë, si kusht themelor për zhvillimin dhe të jenë të vëmendshëm ndaj mbrojtjes së mjedisit.