E Shtunë, 31 Tetor 2026

De Block: Rikthehen vizat për shqiptarët nëse ka azilantë

Belgjika i ka bërë sërish thirrje Shqipërisë të respektojë liberalizimin e vizave. Sekretarja belge për emigracionin Moggie de Block gjatë një takimi në qytetin e Shkodrës ka paralajmëruar vendosjen e vizave mes vendit të saj dhe Shqipërisë nëse do të ketë rritje të azilkërkuesve shqiptarë.
 

“Nëse do të ketë rritje të azilkërkueve atëherë Belgjika do të rishikojë liberalizimin e vizave me Shqipërinë. Për momentin janë 45 kërkesa në muaj që bëhen prej shqiptarëve ku 90 % e tyre janë nga Shkodra” theksoi De Block.
 

Sipas saj një tjetër problem mbetet edhe kërkesa e shqiptarëve për azil duke përdorur fenomenin e gjakmarrjes për të cilën kërkoi nga qeveria shqiptare të marrë masa.
 

“Edhe pse Shqipëria është një shtet i sigurtë sa i takon azilit dhe emigracionit, shteti shqiptar duhet të marrë masa ndaj azilit për gjakmarrje. Krahasuar me vitin e kaluar ka pas një ulje të numrit të azilkërkuesve çka tregon angazhimin e shtetit shqiptar për uljen e këtij fenomeni” shtoi më tej De Block.
 

Ndërkohë një ditë më parë, Sekretarja belge për emigracionin Moggie de Block u takua edhe me drejtorin e përgjithshëm të policisë së shtetit Hysni Burgaj të cilit i kërkoi vijimin e masave për të parandaluar azilin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›