E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shefja e Veriut

Shefja e deritanishme e Zyrës përgatitore në Veri të Mitrovicës, Adriana Hodzic, me vendim të Qeverisë së Kosovës, është emëruar Drejtoreshë e Zyrës Administrative që pritet të hapet në Veri. Intervistat për 54 pozitat e tjera pritet të përfundojnë të premten. Sipas ministrit Slobodan Petrovic, zyra e re do të jetë shans për integrimin e veriorëve.

Adrijana Hodzic është emëruar të mërkurën nga Qeveria e Kosovës, Shefe e Zyrës Administrative në Mitrovicën Veriore.

Vendimi për emërimin e saj është marrë në mënyrë unanime, gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, me propozim të Ministrisë së Administratës dhe të Pushtetit Lokal.

Kreu i kësaj ministrie, Slobodan Petrovic ka njoftuar se Hodzic me nacionalitet boshnjak ka qenë njëra ndër shtatë kandidatët të cilët kanë aplikuar për këtë post.

“Kanë qenë shtatë kandidatë dhe prej tyre Komisioni ka verifikuar karakteristikat më të mira, të cilat i ka plotësuar Ardiana Hodcic, që deri tani ka qenë edhe shefe e Zyrës Përgatitore në Veri”, ka bërë të ditur Petrovic, në konferencën për media pas mbledhjes së Ekzekutivit, të mërkurën.

“I kam propozuar Qeverisë dhe kjo e ka aprovuar këtë propozim. Ky është fillimi i procesit të aktivizimit të kësaj zyre”, është shprehur Ministri Petrovic.

Ai ndër të tjera ka bërë të ditur se të premten do të përfundojnë edhe intervistat e kandidatëve për pozitat e tjera të mbetura për këtë zyrë. Ai tha se për 55 pozita të lira, deri më tani kanë aplikuar 1040 kandidatë.

Ndërkohë që hapjen e Zyrës Administrative, Petrovic e ka cilësuar si shans për qytetarët në Veri të Mitrovicës, për përmirësimin e jetës së tyre dhe integrimin në shoqërinë kosovare.

“Si në çdo punë, do të kemi sfida dhe vështirësi të caktuara dhe gjithnjë do të kemi asi që janë për dhe kundër, duhet t’ju them që kjo zyrë është e rëndësisë së madhe, për pjesën veriore të Mitrovicës, sepse do t’u mundësojë implementimin e të gjitha projekteve për përmirësimin e jetës së njerëzve në pjesën veriore të Mitrovicës”, ka thënë ai.

Petrovic është përballur edhe me pyetjet e gazetarëve rreth sigurimit të punonjësve të asaj zyre, pasi që dihet se përfaqësues të strukturave paralele në Veri patën thënë se secili qytetar serb që do të pranojë të punojë në Zyrën e Qeverisë së Kosovës, do të ballafaqohet me ligjet serbe.

“Sa i përket përgjigjes për kërcënimet, ka numër të madh të aplikimeve dhe jam koshient që ka të tillë, të cilëve nuk u konvenon suksesi i kësaj zyre. Unë dhe Qeveria kujdesemi dhe nisemi nga parimi që të gjithë qytetarët e Kosovës kanë fatin e njëjtë për jetë më të mirë në Kosovë, kjo Qeveri nuk ka pasur hapa më të mëdhenj për përmirësimin e jetës atje dhe shpresojë që qytetarët atje do ta vërejnë këtë që është në interes të tyre dhe në këtë rast dëshiroj të cek që kjo zyrë është rast për qytetarët e pjesës veriore për realizmin e interesave të tyre, zhvillimit të infrastrukturës dhe punësimin që është problem jo vetëm për atë pjesën por për krejt Kosovën”, ka thënë ai.

“Shpresoj që ata njerëz ta shohin këtë si shansin e tyre”, shtoi Petrovic.

Ndryshe, vendimi për hapjen e Zyrës Administrative në Veri të Mitrovicës ishte marrë nga Qeveria e Kosovës, para dy jave, kur edhe është hapur konkursi për stafin e saj. Ekzekutivi ndërkaq pritet të ndajë një buxhet vjetor prej 4 milionë eurosh për këtë zyrë, përmes së cilës synohet integrimi i pjesës veriore, e cila që nga paslufta nuk është nën kontrollin e Prishtinës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›