E Shtunë, 31 Tetor 2026

Adrijana Hodzic, shefe e Zyrës në Veri

(E plotësuar) Qeveria e Kosovës ka miratuar propozim-vendimin e Komisionit për emërimin e drejtoreshës së Zyrës Administrative në veri të Mitrovicës.

Me shumicë votash ky propozim-vendim është votuar në mbledhjen e Qeverisë, ndërkohë kryeministri i vendit, Hashim Thaçi ka shprehur falënderimet për ministrin e Pushtetit Lokal, Sllobodan Petroviq për punën që ka bërë.

Ministri, Petroviq ka thënë se Komisioni ka punuar intensivisht dhe ka nxjerrë si kandidate më të suksesshme, Adriana Hodzic.

Në garë për këtë pozitë kanë qenë 7 kandidatë, ndërkohë ka bërë të ditur se 55 zyrtarët e tjerë do të emërohen në ditët në vazhdim, pasi që ka qenë numër i madh i aplikantëve.

Gjithashtu, ministri Petroviq ka thënë se në ditët në vazhdim do të shpallet konkursi edhe për zëvendësdrejtor të kësaj zyre.

Hodzic do të jetë përgjegjëse për organizimin e punës dhe funksionimin e kësaj Zyre të formuar me vendim të Qeverisë së Kosovës muajin e kaluar.

Shefi i kësaj Zyre do të ketë kompetenca të njëjta me kryetarët e komunave të vendit, ndërsa detyrë e Zyrës do të jetë të ofrojë të gjitha shërbimet për qytetarët dhe të koordinojë aktivitetet, si dhe investimet në këtë pjesë të Kosovës.

Zyra në fillim do të përbëhet nga 7 drejtori me gjithsej 55 të punësuar, ndërsa parashihet që më vonë në këtë Zyrë të punësohen edhe 25 punëtorë tjerë. Buxheti vjetor i saj do të jetë 4 milionë euro, të cilat do të shërbejnë për shërbime elementare dhe infrastrukturë të objekteve në veri të Mitrovicës.

Deri tani askush nuk ka folur për strukturën etnike të drejtorëve të drejtorive edhe pse dihet se pjesa dërmuese do të jenë të nacionalitetit serb.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›