Shega Ligori tërhiqet nga politika, i falënderon të gjithë përveç Ramës
Deputetja e qarkut të Elbasanit, Shega Ligori, ka bërë të ditur se tërhiqet nga politika aktive. Ajo ka postuar një mesazh në Facebook, ku bën të ditur lajmin dhe dërgon një seri falënderimesh. Por bie në sy fakti që ajo nuk falënderon Edi Ramën.
Panorama shkruan se mes saj dhe Ramës ka pasur një debat në lidhje me pozicionin e saj në listat e kandidatëve në qarkun e Elbasanit. Asaj i është propozuar që të jetë në vendin e shtatë ose të tetë.
Ndërkohë vendin e Ligorit e zë Evis Kushi, e cila u akuzua se kishte firmosur një peticion kundër kryetarit të PS, Edi Rama.
Ligori ishte mes deputeteve që hyri në grevën e urisë për votat e vitit 2009.
Përshëndetje të dashur miq,
Në përfundim e sipër të mandatit tim si deputete e Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë dhe teksa po përmbyllen listat e kandidatëve për legjislaturën e ardhshme, dua t’ju bëj të ditur vendimin tim për t’u tërhequr nga politika aktive. Do ti rikthehem profesionit të avokatit, që e ndërpreva 4 vjet më parë.
Nuk ka qenë një vendim i lehtë për mua, por besoj se është i duhuri.
Mirënjohje Partisë Socialiste, kësaj familjeje të madhe e fisnike që më besoi një detyrë të lartë dhe të nderuar. Shpresoj shumë ta kem merituar besimin që më falët.
Mirënjohje qytetarëve të qytetit tim të lindjes, Elbasanit.
Mirënjohje qytetarëve të Cërrikut dhe Belshit.
Krenare që ju kam përfaqësuar!
Mirënjohje të gjithë qytetarëve që u bashkuan në betejat tona opozitare, në protesta e demonstrata e deri tek greva e urisë e atyre grave e burrave që sakrifikuan gjithçka në betejën për votën e lirë.
Mirënjohje e respekt për ata njerëz të pafajshëm që humbën jetën më 21 janar në mbështetje të kauzës sonë.
Mirënjohje Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, për angazhimin opozitar, dinjitoz dhe të vështirë, në këto katër vjet.
Mirënjohje për familjen e të afërmit që më qëndruan pranë dhe më mbështetën.
Një ndjesë të sinqertë për të gjithë ata që mund t’i kem prekur me pa të drejtë gjatë veprimtarisë sime politike.
Së fundi, për të gjithë ju, të dashur mbështetës, miq dhe kolegë, uroj nga zemra një fitore të merituar më 23 qershor dhe suksese në rrugën e progresit, shkruan në FB Shega Ligori./ep