E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rinisin protestat, mblidhen 1500 firma për diplomat

 

zirina llambro

Rinisin protestat e studentëve të Universitetit të Tiranës. Pas disa ditë ndërprerje, dje të mbështetur edhe nga një pjesë e pedagogëve, ata kanë bojkotuar sërish mësimin. Bashkë më stafin akademik deklaruan, se nuk do të pranojnë të pajisen me diplomat e reja. Fillimisht, protestuesit u grumbulluan pranë Rektoratit për t’u ndalur përpara Kryeministrisë. Në këtë institucion u dorëzua edhe peticioni me plot 1500 firma, që kundërshtojnë formatin e ri të diplomave. Studentët kërkojnë anulimin e udhëzimit përkatës të Ministrisë së Arsimit. Në mbështetje të tyre shprehen edhe pedagogët. Formati i diplomës së nivelit të dytë, është kundërshtuar edhe nga studentë nga Durrësi e Vlora. Për bojkotin e djeshëm të auditorëve ishte paralajmëruar prej disa ditësh, por pjesëmarrja ishte e vakët. Shkak për këtë duket se është bërë sezoni i provimeve, i cili ka filluar tashmë. Studentët, deklarojnë se nuk do të tërhiqen. Ata shprehen se protesta do të vazhdojë derisa Ministria e Arsimit të zbatojë ligjin. Por ky dikaster nuk ka ndryshuar në asnjë presje qëndrimin e tij. Kjo, ndonëse një pjesë e konsiderueshme e stafit akademik mbështet pretendimet e studentëve. Vetë studentët e  kanë cilësuar si të cunguar dhe krejtësisht të pavlerë konceptimin e diplomës. Për ta ajo jo vetëm i ngjan një certifikate të fituar në një kurs disamujor, por nuk ka asnjë element, që të garantojë vlefshmërinë e saj. Sipas ligjit dhe udhëzimit të fundit të MASH është pikërisht ky institucion, i cili prodhon diplomat e nivelit të parë sipas sistemit të Bolonjës, të cilat tërhiqen më tej nga shkollat e larta. Modeli i diplomës së re është prodhuar për herë të parë këtë vit. Vitin e kaluar studentët që përfunduan ciklin 3-vjeçar sipas Kartës së  Bolonjës morën të njëjtën diplomë si ata që kishin ndjekur shkollën e lartë për katër vjet. Për këtë fakt nuk pati asnjë pakënaqësi. Nuk dihet si do t’i vejë filli këtij konflikti mes ministrisë dhe universiteteve, i cili tashmë ka hyrë në muajin e dytë të tij. Barra më e rëndë nëse vijojnë më të njëjtin qëndrim u bie vetë studentëve, të cilët nuk arrijnë të zhvillojnë një proces normal mësimor.

Ministria: Diplomat në përputhje me BE

Në reagimet e saj të njëpasnjëshme Ministria e Arsimit e cilëson përmbajtjen e diplomës së re, në përputhje me të gjitha standardet e diplomave evropiane. Sipas këtij dikasteri, ligji shqiptar dhe Marrëveshja e Bolonjës, sanksionon se emërtimi i diplomës përmban nivelin dhe fushën e studimit të kryer. Më tej MASH ka sqaruar se në asnjë prej diplomave ku operohet me Bolonjën nuk vendoset titulli për të cilin kryhen studimet. Kjo për disa arsye. E para pasi sipas marrëveshjes një student mund të kryejë ciklin 3-vjeçar në një degë dhe mund të vazhdojë ndjekjen e një tjetër dege për dy vitet e tjera. Ndërkaq, theksohet se kjo formë e emërtimit të diplomës sipas nivelit dhe fushës së studimit të kryer, krijon hapësira më të gjera punësimi për çdo të diplomuar në tregun e punës, në krahasim me modelin e mëparshëm me tituj profesionalë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›